Nga themelimi i komitetit, gjatë vitit 2021 kemi zhvilluar së bashku hapa të rëndësishëm drejt mbrojtjes së vlerave dhe zhvillimit të master planit për Kompleksin Memorial, tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në hapje të mbledhjes së katërt të Komitetit ndër-ministror për Kompleksin Memorial Adem Jashari në Prekaz.
Pas vlerësimit të gjendjes fizike të ndërtesave dhe hartimit të planeve përkatëse, kemi filluar me ndërhyrjet emergjente për mënjanimin e rrezikut në ndërtesat në gjendje të keqe dhe kemi themeluar Komisionin e Ekspertëve, tha kryeministri, duke shtuar se nga ky vit fokusi do të jetë në master planin për kompleksin memorial.
Duke folur për ecurinë e procesit të hartimit të planeve të ndërhyrjeve emergjente në kompleks, kryeministri foli për vizitat në kompleks në fillim të këtij viti. Ndërhyrjet emergjente në ndërtesën nr.4, në shtëpinë e Salë dhe Hamit Jasharit, kanë filluar në fund të dhjetorit 2021 dhe kanë përfunduar në mes të muajit mars 2022.






