Nën kryesimin e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, u mbajt sot takimi i parë i Komisionit Ekzekutiv për Anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Bashkimin Evropian.
Kjo u bë e ditur me anë të një komunikate për media nga Qeveria e Kosovës.
“Gjatë këtij takimi u diskutua për situatën gjeopolitike dhe zhvillimet tjera relevante. Komisioni konfirmoi përkushtimin dhe orientimin e vendit për integrim evropian dhe miratoi qëndrimin zyrtar të Republikës së Kosovës për aplikim në Bashkimin Evropian para fundit të këtij viti. Në takim u tha se Kosova ka për qëllim strategjik anëtarësimin në Bashkimin Evropian, dhe se këtë e ka dëshmuar përmes zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit tash e gjashtë vjet, Agjendës për Reforma Evropiane, bashkëpunimin rajonal dhe pjesëmarrjen në programe të BE-së dhe formateve të ndryshme brenda saj”, thuhet në komunikatë.





