LAJME

Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur letër Borrellit që Serbia t’i hapë arkivat

Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur letër Borrellit që Serbia t’i hapë arkivat
TV Prizreni
TV Prizreni
1 Shtator 2023, 22:47

Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur i ka dërguar të premten një letër përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, që Serbia t’i hapë të gjitha arkivat e saj, përfshirë edhe ato të klasifikuara.

Në letër shkruan se si Komisioni, së bashku me familjet e të zhdukurve kanë bërë thirrje që Serbia t’i hapë arkivat e saja, pasi “zhdukjet me forcë gjatë luftës ishin krime të kryera nga shteti”.

Kryesuesi i këtij Komisioni, Andin Hoti, në letrën drejtuar Borrellit, ka shkruar se më 1 qershor ka bërë kërkesën e parë te presidenti serb Aleksandar Vuçiq për qasje të plotë në materialin arkivor. Por s’ka marrë përgjigje.

“Me miratimin e Deklaratës për Personat e Zhdukur, në të cilën janë futur edhe personat e zhdukur me forcë, të datës 02 maj 2023, Serbia ka marrë angazhime të vonuara prej kohësh. Në përputhje me angazhimet e Serbisë sipas Deklaratës, më 01.06.2023 i dërgova kërkesën e parë zyrtare presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për qasje të plotë në materialin arkivor, duke përfshirë por pa u kufizuar në dosjet e klasifikuara, të prodhuara në Komandën e Shpërbërë të Brigadës së Motorizuar të 37-të të Ushtrisë Jugosllave. Dhënia e qasjes së plotë në këtë material do të shërbente për të zbuluar rrethanat e vrasjeve dhe transferimin e eshtrave të shqiptarëve të Kosovës të zhdukur me forcë dhe do të kontribuonte drejtpërdrejt në zgjidhjen e fatit të të zhdukurve me forcë në rajonin e Drenicës. Por katër muaj nga Deklarata dhe tre muaj nga kërkesat që i kam dërguar Vuçiqit, nuk ka përgjigje nga Serbia”, thuhet në letër.

“Mungesa e bashkëpunimit të Serbisë në përmbushjen e zotimeve të saj rrezikon përpjekjet tona të përbashkëta për të bërë përparim në zgjidhjen e rasteve të personave të zhdukur me forcë, përmbushjen e detyrimeve tona dhe zbutjen e vuajtjeve të tmerrshme të familjeve”, vijon letra e Komisionit dërguar Borrellit.

Më 2 maj, Kurti e Vuçiqi e nënshkruan Deklaratën për të Pagjeturit dhe e bënë zotimin ta lejojnë qasjen në të gjitha dokumentet në posedim të tyre. Por, arkivat e Ushtrisë dhe të Policisë serbe deri më tani kanë mbetur të paqasshme për autoritetet në Kosovë.

Sipas UNMIK-ut, 6.065 persona janë zhdukur si pasojë e luftës në Kosovë në vitin 1998 dhe 1999. Aktualisht janë 1.617 raste të hapura të personave të zhdukur, prej të cilëve 1,355 janë meshkuj dhe 262 femra./KOHA/

Kjo përmbajtje ofrohet nga Facebook. Duke e ngarkuar, pranoni që Facebook të vendosë cookies.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika