Me 6 vota për, asnjë kundër dhe një abstenim, Komisioni për buxhet e ka miratuar në parim projektligjin për ndarjen buxhetore për vitin 2026.
Ministri i Financave Hekuran Murati ka kërkuar nga deputetët anëtarë të Komisionit që ta procedojnë sa më shpejt projektligjin në Kuvend për shkak të afatit të shkurtër për miratim.
Ai ka thënë se është me rëndësi që deri në fund të muajit, Ligji për buxhetin të jetë në fuqi.
“Përkundër zgjatjes së muajit mars, për të cilën ju falënderoj për miratimin në seancë të rregullt, disa prej shpenzimeve, siç e theksova, kanë tejkaluar 1/12-ën e ndarjes. Pra është dashur që pagesat e janarit të janar-shkurtit të bëhen mbi bazën bazike, është dashur të marrim alokim paraprakisht nga shkurti. Tani në shkurt do të marrim alokim paraprakisht nga marsi. Pra nuk është se janë tre muaj për këtë plotësim, sepse ka pasur ndryshime tek pagat”, ka theksuar Murati.
“Pozicioni i parë në buxhetin e vitit 2026 ka pasur rritje prej 55 eurove të koeficientit të pagave, gjë që nuk është reflektuar, pra janari i 2026-ës nuk është i barabartë me janarin e 2025-ës, është për 55 euro më i lartë për secilin koeficient. Prandaj është e nevojshme të sillet sa më shpejt kjo balancë dhe jo domosdo janë tre muaj zgjatje tek shpenzimet e tjera, ashtu siç u tha. Prandaj për ne është tepër e rëndësishme që deri në fund të muajit, sepse kur shkojmë prapa prej fundit të shkurtit, ne e dimë që aty ka disa afate procedurale që Presidentja i ka 8 ditë apo 15 ditë për ta nënshkruar”, ka shtuar ai.
Anëtari i Komisionit nga radhët e PDK-së Kujtim Gashi kërkoi që ligji të shqyrtohet në procedurë të rregullt në mënyrë që të ketë më pas diskutime dhe të jetë mundësia që deputetët të bëjnë amandamentim.
“Në parim jemi për, me shpresën që nuk do të ketë procedura të shpejtuara për rishikimin e buxhetit”, tha Gashi.
Në këtë mbledhje komisioni ka miratuar edhe Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes së financimit, për programin e parë për “financimin e politikave zhvillimore për efektivitetin fiskal, konkurrueshmërinë dhe rritjen e gjelbër” në mes të Republikës së Kosovës e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Asociacionit Ndërkombëtar për zhvillim, atë për ratifikimin e marrëveshjen e kredisë në mes të Republikës së Kosovës përfaqësuar nga Ministria e Financave, punës dhe transfereve, dhe asociacioni ndërkombëtar për zhvillim për projektin “kompas” – qasja gjithëpërfshirëse e Kosovës për forcimin e sistemit të shëndetësisë, Projektligjin për ratifikimin e marrëveshjen e kredisë në mes të Republikës së Kosovës përfaqësuar nga Ministria e financave, punës dhe transfereve, dhe asociacioni ndërkombëtar për zhvillim (anzh) për projektin “edukimi në fëmijërinë e hershme dhe kujdesi për kapitalin njerëzor të Kosovës” si dhe Projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes së kredisë për “instrumentin për reforma dhe rritje për Ballkanin perëndimor” ndërmjet Bashkimit Evropian, që përfaqësohet nga Komisioni Evropian si huadhënës, dhe Kosovës si huamarrës dhe bankës qendrore të Kosovës si agjent i huamarrësit./EO