Komandanti i misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, Enrico Barduani, është takuar të martën me shefin e stafit të përgjithshëm të forcave të armatosura të Serbisë, Millan Mojsilloviq, në Beograd.
Takimi në kryeqytetin e Serbisë erdhi rreth pesë muaj pas një takimi paraprak të këtyre dy palëve, në tetor të vitit 2024.KFOR-i nuk dha detaje se për çfarë u diskutua në këtë takim, por vetëm shkroi në X se “ata shkëmbyen mendime mbi situatën e sigurisë dhe bënë një vlerësim të përpjekjeve të tyre përkatëse”.
Ndërkohë, në uebfaqen e forcave të armatosura të Serbisë u tha se shefi i ushtrisë serbe i kërkoi komandantit të KFOR-it të sigurojë “ambient të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjithë, veçanërisht për komunitetin serb”.
Sipas deklaratës së publikuar nga ushtria serbe, palët u dakorduan se situata e sigurisë në Kosovë mbetet “jostabile dhe e ndjeshme”.
“Kontaktet e rregullta në të gjitha nivelet si dhe aktivitetet e përbashkëta duhet të vazhdojnë për të ulur tensionet në terren dhe për të parandaluar përshkallëzimin e krizës”, thuhet në atë deklaratë.
KFOR-i tha se ky takim ishte pjesë e takimeve të rregullta të komandantit të KFOR-it me bashkëbiseduesit e tij kryesorë në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Gjatë vizitës në Beograd, ai takoi edhe përfaqësuesit diplomatikë të Francës, Gjermanisë, Italisë, Britanisë së Madhe, SHBA-së dhe Bashkimit Evropian në Serbi.
“Ai i informoi ata për aktivitetet e KFOR-it dhe për bashkëpunimin e misionit me bashkësinë ndërkombëtare, përfshirë mbështetjen e palëkundur për dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga KFOR-i.