Në ambientet e Universitetit “Ukshin Hoti” Prizren u zhvillua një takim ndërmjet menaxhmentit të universitetit dhe Komandantit të KFOR-it, gjeneralit Özkan Ulutaş. Vizita kishte për qëllim diskutimin e mundësive për forcimin e bashkëpunimit institucional dhe thellimin e komunikimit ndërmjet universitetit dhe KFOR-it.
Në takim mori pjesë Rektori i Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren, Prof. Asoc. Dr. Mentor Alishani, i cili ishte i shoqëruar nga anëtarë të tjerë të menaxhmentit universitar.
Në kuadër të vizitës u zhvillua edhe një bashkëbisedim me përfaqësues të studentëve dhe përfaqësues të Parlamentit Studentor të Universitetit “Ukshin Hoti” Prizren. Ky diskutim shërbeu si një mundësi për shkëmbimin e mendimeve mbi rëndësinë e dialogut ndërkulturor, përfshirjes dhe rolin e studentëve në ndërtimin e një komuniteti universitar gjithëpërfshirës.
Gjatë takimit u diskutua për mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet universitetit dhe KFOR-it, me theks në forcimin e komunikimit institucional dhe mbështetjen e iniciativave që promovojnë dialogun ndërkulturor dhe angazhimin e përgjegjshëm në shoqëri.
Palët shkëmbyen gjithashtu pikëpamje lidhur me nevojat institucionale dhe mundësitë për zhvillimin e projekteve të përbashkëta në të ardhmen, të cilat mund të kontribuojnë në fuqizimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve dhe komunitetit akademik.