Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka pritur në takim një delegacion nga Mbretëria e Bashkuar të udhëhequr nga ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves.
Sipas njoftimit të FSK-së, gjenerallejtënant Jashari e njoftoi ambasadorin Hargreaves për të arriturat e FSK-së, aktivitetet, operacionet dhe planifikimet për të ardhmen. Siç bëhet e ditur, ai falendëroi ambasadorin për mbështetjen nga Britania e Madhe për ngritjen e kapaciteteve të FSK-së në të gjitha fazat e zhvillimit të saj.
Gjithashtu, siç njofton FSK, diskutimi u përqëndrua tek situata aktuale e sigurisë në vendin tonë, rajon dhe më gjerë. Poashtu, thuhet se palët u pajtuan për bashkëpunim profesional në fushën e arsimit, edukimit dhe zhvillimit profesional të liderëve dhe njësive të ndryshme të FSK-së në ngritjen e profesionalizmit dhe kapaciteteve operacionale.
Nga ana tjetër, ambasadori britanik falendëroi gjeneral Jasharin për lidershipin e treguar në udhëheqjen e proceseve të ndryshme në zhvillimin e FSK-së.
Në fund, bëhet e ditur se palët u zotuan për thellimin e bashkëpunimit të ndërsjellë në adresimin e sfidave të përbashkëta të sigurisë.