Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka pritur në një takim zyrtar Kryetarin e Komitetit Ushtarak të NATO, admiralin Giuseppe Cavo Dragone, si dhe Kryetarin e Komitetit Ushtarak të Bashkimi Evropian, gjeneralin Seán Clancy.
Gjatë takimit, gjeneral Jashari u uroi mirëseardhje delegacionit dhe i njoftoi mysafirët me zhvillimet aktuale brenda FSK-së, me theks të veçantë në angazhimin dhe mbështetjen e saj në kuadër të operacioneve ndërkombëtare.
Në këtë takim u diskutua edhe për të arriturat e deritashme të FSK-së, ndërsa u theksua nevoja për avancimin e mëtejmë të bashkëpunimit në aktivitetet e përbashkëta ndërmjet FSK-së dhe organizatave përkatëse ndërkombëtare.
Bashkëbiseduesit vlerësuan lartë zhvillimin dhe kontributin e FSK-së, si dhe adresuan nevojat për thellimin e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët. Po ashtu, u vlerësua edhe roli i KFOR dhe NALT në mbështetje të forcës.
Në përfundim të takimit, palët u zotuan për vazhdimin dhe rritjen e bashkëpunimit korrekt dhe profesional në realizimin e aktiviteteve të përbashkëta.