Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), gjenerallejtënant Bashkim Jashari, po qëndron për vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku ka zhvilluar takime me zyrtarë të Departamentit të Luftës dhe përfaqësues të Gardës Kombëtare të Ajovës.
Gjatë qëndrimit në Uashington D.C., delegacioni i FSK-së, i udhëhequr nga Jashari, mori pjesë në panairin vjetor të industrisë së mbrojtjes “AUSA Annual Meeting & Exposition”, ku prezantohen teknologjitë dhe pajisjet më të reja ushtarake. Sipas njoftimit, panairi përfshinte mbi 700 ekspozues dhe përfaqësues nga më shumë se 100 shtete.
Pjesëmarrja në këtë ngjarje synon njohjen me zhvillimet e fundit në industrinë e mbrojtjes, me qëllim të modernizimit dhe rritjes së kapaciteteve operacionale të FSK-së.
Në kuadër të vizitës, gjenerallejtënant Jashari zhvilloi takim në Pentagon me zëvendësndihmës sekretarin amerikan të Luftës për Luftë Jokonvencionale, Colby C. Jenkins. Gjatë takimit u diskutuan çështje të sigurisë dhe bashkëpunimit dypalësh në fushën e operacioneve speciale dhe fusha të tjera me interes të përbashkët.
Sipas njoftimit, gjatë bisedimeve u riafirmua mbështetja e Shteteve të Bashkuara për planin e tranzicionit të FSK-së, zhvillimin e saj profesional dhe kontributin në sigurinë globale.
Gjatë qëndrimit në SHBA, komandanti i FSK-së u takua edhe me delegacionin e Gardës Kombëtare të Ajovës, të udhëhequr nga gjeneral brigade Charles H. Lampe.
Në këtë takim u diskutuan të arriturat e bashkëpunimit ndërmjet FSK-së dhe Gardës Kombëtare të Ajovës, si dhe plani i bashkëpunimit dypalësh për pesë vitet e ardhshme.
Kjo përmbajtje ofrohet nga Facebook. Duke e ngarkuar, pranoni që Facebook të vendosë cookies.
Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.