Forca e Sigurisë së Kosovës ka njoftuar se në Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes u mbajt ceremonia e përfundimit të kursit për rreshtermajor “Gjenerata 03-2026”.
FSK thekson se ky kurs përfaqëson një nivel të avancuar të zhvillimit profesional për nënoficerët e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe synon përgatitjen e tyre për marrjen e përgjegjësive më të larta brenda strukturës së lidershipit të trupës së nënoficerëve.
“Kursantët kanë kaluar nëpër një program të strukturuar arsimor dhe profesional, i cili është realizuar përmes Modulit të Studimeve Profesionale, Modulit të Udhëheqjes, Modulit të Menaxhimit të Forcës, si dhe Modulit të Operacioneve Ushtarake dhe Operacioneve të Përbashkëta Ndërinstitucionale” – thuhet në njoftim.
Sipas FSK-së, përmes këtij programi, kursantët kanë thelluar njohuritë e tyre profesionale, kanë zhvilluar më tej aftësitë e lidershipit dhe kanë avancuar kapacitetet e tyre për të përkrahur komandantët e tyre në proceset e planifikimit, menaxhimit dhe realizimit të detyrave brenda strukturës së Forcës së Sigurisë së Kosovës.
“Përfundimi me sukses i këtij kursi shënon një hap të rëndësishëm në zhvillimin profesional të pjesëtarëve të gjeneratës 03-2026, të cilët nga sot pritet të kontribuojnë edhe më shumë në forcimin e trupës së nënoficerëve, në rritjen e standardeve profesionale dhe në avancimin e kapaciteteve institucionale të Forcës së Sigurisë së Kosovës” – njofton FSK.