Një donator anonim ka pajisur Kilinikën e Pediatrisë me një aparat për hemodializë, ka njoftuar drejtoresha e Klinikës, Violeta Grajçevci – Uka për emisionin “SOT” në KTV.
Ajo ka treguar se aparati ishte i domosdoshëm në këtë Klinikë. Ndërsa pos aparatit për hemodializë kanë pranuar edhe komorën për përgatitjen e kemoterapisë.
“Klinika e Pediatrisë ka fituar dy pajisje. E para është aparati për hemodializë, që ndihmon fëmijët të dializohen, ata fëmijë që kanë probleme me veshja. Ka qenë domosdoshmëri. Reparti i kujdesit intensiv pediatrik nuk e ka pasur këtë pajisje deri më tash. E ka pasur Pediatria shërbimin e hemodializës, por ky shërbim ka qenë në klinikën e vjetër. Me zgjerimin e hapësirave të reja, ka pasur mungesë, sidomos për ata që qëndrojnë në mjekim intensiv. Mënyra e transportit ishte e vështirë për fëmijët prej Klinikës së re në atë të vjetër për t’iu bërë dializa. Ishte domosdoshmëri ky aparat. E kemi fituar prej një donatori, që ka dashur të mbetet anonim. E falënderojmë shumë këtë donator për ndihmën”, ka thënë Grajçevci-Uka.
Ajo ka thënë se momentalisht një fëmijë është duke marrë shërbime në këtë aparat.
Sa i përket aparatit të komorës, ka thënë se ishte domosdoshmëri, pasi nëse kemoterapia nuk përgatitet në kushte adekuate mund të paraqesë rrezik për personelin që e përgatitë por edhe për ambientin. Grajçevc-Uka ka shtuar se vlera e dy aparateve mund të jetë afërsisht 50 mijë euro.
Drejtoresha e Klinikës ka thënë se shpreson që në të ardhmen të shtohen edhe pajisje tjera, në mënyrë që fëmijët që kanë nevojë për trajtime të veçanta t’i marrin ato në Kosovë e jo të dalin jashtë vendit.
“Shumica e pajisjeve ekzistojnë. Normalisht ka nevojë edhe për pajisje tjera, kërkesat janë bërë, në mënyrë që të zgjerohen shërbimet pediatrike, e të mos trajtohen pacientët jashtë vendit. Për të bërë këtë duhet të sigurojmë aparaturat. Shumica e aparaturave ekzistojnë, por ka edhe disa prej tyre që duhet për të zgjeruar shrëbimet e duhet siguruar ato nga SHSKUK-ja. Kërkesa është bërë”, tha Grajçevci-Uka.
Ajo ka folur edhe për nevojën për të shtuar stafin në Klinikën Pediatrike.
“Normalisht ka mungesë të stafit. Kemi bërë planifikim për staf dhe pajisje. Sidomos për infermierë e mjekë ka nevojë, por edhe për punonjës tjerë. Kërkesat janë bërë. Edhepse me këto kapacitete që kemi po e mbulojmë çdo gjë, prapë na duhet më tepër staf”, tha drejtoresha.
Sa i përket probleme me reduktim të rrymës, ajo ka thënë se nuk ka ndonjë pengesë të madhe, pasi paralajmërohen, por edhe kanë gjeneratorët në gatishmëri.