Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Faton Klinaku, i është kundërpërgjigjur kryeministrit Albin Kurti që të shtunën u shpreh se ka pasur trefishim të numrit të veteranëve në lista. Klinaku ka thënë se Kurti po mundohet t’i bëjë verifikim listave edhe pse rasti është në gjykatë. Ai ka akuzuar kryeministrin se ka dashur që të ketë dakordim me shoqatat e veteranëve “siç do vetë” dhe që veteranët “të jenë militantët e tij”.
Duke komentuar Ligjin për pagën minimale, që nuk garanton edhe rritjen e pensioneve të veteranëve të luftës, Kurti është shprehur se Qeveria është për benefite sa më të larta për veteranët e se duhet që dosja e listave të nxjerrë përfundimisht numrin e veteranëve.
Klinaku ka akuzuar Qeverinë për moskujdes ndaj veteranëve, jo vetëm në punën e pagesës. Sipas tij, s’po u rregullohen as protezat e invalidëve.
“Meqenëse dosjet janë në prokurori dhe lënda në gjykatë e që me insistimin tonë si Organizatë e Veteranëve ka filluar që të merret drejtësia me këtë, nuk ka guxuar asnjë kryeministër, qeveri, kuvend e as ne të merremi me lista pa u përfunduar procesi gjyqësor. Pastaj, si mund të verifikosh kur dosjet janë në prokurori dhe si mund të bëhet kjo ndryshe përveç me komandantët e zonave operative dhe zixhirin komandues të UÇK-së, siç e ka fituar të drejtën e veteranit Albin Kurti duke ia nënshkruar Adem Demaçi. Sa i përket beneficioneve, nuk është veç pagesa, por ai edhe trajtimin dhe rehabilitimin e veteranëve në banja (që me qeveritë e kaluara nuk ishte më shumë se 300 veta në vit), e quan luks. Pastaj, ai as protezat e invalidëve të luftës nuk i rregullon prej që ka ardhur në qeveri. Sa i përket dakordimit me shoqata, ai këtë e ka dashur siç do vet, paçka nëse kjo është në dëm të veteranëve, por që ne të jemi militantët e tij”, ka shkruar Klinaku në Facebook.
Klinaku ka thënë se Kurti beneficionin “e quan pagë, sepse e ka qëllim që ta mashtrojë publikun”
“Ai thotë se është për benefite më të larta, por po ua dokumentoj çfarë thotë ligji: Më të larta do të mund t’i bënte, por nuk mund të jetë më e vogël se paga minimale e përcaktuar në Kosovë. Shihemi sot në shesh ora 18:00”, ka shkruar tutje ai.
Veteranët do të protestojnë sot kundër ligjit për pagën minimale. Leximi i dytë u bë një vit pas leximit të parë. Atë kohë miratimi u bë nën protestat e veteranëve. Që nga ajo kohë ishte pritur “dakordimi” Qeveri-veteranë, por pushteti nuk ka përfshirë ndryshime as në leximin e dytë. Paga minimale do të rritet nga 170 në 264 euro. Kjo nuk garanton rritjen e pensionit të veteranit.