Sekretari i Organizatës së Veteranëve të Luftës, Faton Klinaku, i ka reaguar Zyrës së Prokurorit të Specializuar të Hagës pasi që këta të fundit e përdorën një deklaratë të tij në debat televiziv si provë për të kundërshtuar lirimin e Hysni Gucatit e Nasim Haradinajt.
Në atë deklaratë, Klinaku thoshte se nëse vijnë dokumente tjera të Speciales, ato do t’i publikojë.
E Klinaku në një reagim në Facebook e ka quajtur “amatore” Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Tutje, ia ka bërë të ditur se nëse ndodhë që sërish të vijnë materiale të Speciales, ato do t’ua ofrojnë mediave.
“Për Prokurorinë e Specializuar në Hagë: Po habitem me amatorizmin tuaj – Ne as nuk kemi publikuar e as nuk publikojmë asgjë. Ne ua kemi ofruar mediave për publikim dhe do t’ua ofrojmë përsëri. Nuk do t’i mbajmë fshehur skandalet e juaja sepse nuk e kemi asnjë detyrim për këtë”, ka shkruar Klinaku.
ZPS, në parashtresën për të cilën raportoi lajmi.net e saj citon deklaratën e Klinakut ku thotë se do të publikojë çfarëdo materiali që i vije nga Specialja, qoftë ai edhe konfidencial, ashtu siç kishin bërë Gucati e Haradinaj.
“Rrjeti i të Akuzuarve i veteranëve të luftës së UÇK-së mbetet i gatshëm të pengojë procedurat, të tilla që rreziqet e Nenit 41 (6) (b) do të bëhen plotësisht të pakontrollueshme nëse i Akuzuari do të lirohet nga paraburgimi. Më 4 qershor 2021, Faton KLINAKU, kryetari i përkohshëm i Shoqatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së dha një intervistë me të cilën ai premtoi se do të botojë Dokumentet e DSK-së nëse i merr ato. Kjo është e jashtëzakonshme, duke theksuar se Z. KLINAKU është kryetari i përkohshëm sepse GUCATI dhe HARADINAJ po ndiqen penalisht para DSK për sjellje identike. Që ligji nuk është asnjë kufizim për kryetarin e përkohshëm OVL UÇK-së është emblematikë e largësisë që mbështetësit e të Akuzuarve janë të gatshëm të shkojnë për të penguar këto procedura, dhe vërtet këtë gjykatë”, pretendon në parashtresat e saja Zyra e Prokurorit të Specializuar.
ZPS tutje në shkresën e saj ka thënë se Gucati e Haradinaj rrezikojnë 10 vjet burg, dhe sipas tyre duke pasur parasysh gjatësinë e dënimit, lirimi i përkohshëm i tyre nuk do të ishte i preferueshëm.
Nasim Haradinaj e Hysni Gucati u arrestuan nga hetuesit e Speciales më 25 shtator të vitit të kaluar.
Që nga ajo kohë, ata po mbahen në paraburgim në Hagë, teksa nga e njëjta periudhë ata nuk kanë takuar asnjë prej familjarëve të tyre.