Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR-i ka thënë se çdo dërgim i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në veri të Kosovës kërkon autorizim paraprak nga komandanti i KFOR-it, bazuar në një marrëveshje të vitit 2013 mes NATO-s dhe Kosovës.
Në një përgjigje për KOHËN, KFOR-i ka thënë se mirëpret respektimin e vazhdueshëm të zotimit të marrë nga Kosova dhe po ashtu edhe garancinë e fundit të marrë me shkrim nga ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, për këtë marrëveshje.
“Sipas marrëveshjes NATO – Kosovë, çdo zhvendosje e FSK-së në veri të Kosovës kërkon autorizim paraprak nga komandanti i KFOR-it. Ne mirëpresim respektimin e vazhdueshëm për këtë zotim dhe garancinë e fundit me shkrim, që reflekton dialogun e rregullit të KFOR-it me përfaqësuesit e organizatave të sigurisë në Kosovë dhe të institucioneve të Kosovës, përfshirë z. Maqedonci. Komunikimi transparent dhe koordinimi me kohë është çelës për sigurinë e qëndrueshme në Kosovë dhe stabiliteti rajonal”, u tha nga KFOR-i.
KFOR-i s’ka dashur të zbulojë në detaje se çfarë është shkruar në letrën e ministrit Maqedonci.
E ministri Maqedonci të enjten ka thënë se ai nuk ka bërë rizotim, por thjesht po respektohet zotimi i bërë në vitin 2013.
“Në letër kam sqaruar rrethanat e angazhimit të njësisë së FSK-së dhe si gjithnjë që e kam thënë publikisht në media, kam ritheksuar se institucionet e Kosovës do të vazhdojnë ta respektojnë zotimin e bërë më 19 prill 2013 për angazhimin e FSK-së në operacione në veri pas koordinimit paraprak me komandantin e KFOR-it”, tha Maqedonci për KOHËN. “Pra, çështjet përmbajtjesore të zotimit adresohen në atë nivel, kurse në nivelin tim dhe të komandantit të KFOR-it është që ta sigurojmë njëri-tjetrin që do t’i bëjmë veprimet e nevojshme për të garantuar që angazhimi ynë ushtarak në veri të bëhet në mënyrë të koordinuar. Pra, nuk bëhet fjalë për rizotim sepse zotimi i 2013 është bërë në nivel kryeministri dhe sekretari të përgjithshëm të NATO-s. Ne po vazhdojmë të respektojmë zotimin e vitit 2013 të ish-kryeministrit, pavarësisht që vlerësojmë që ai zotim ka qenë i gabuar dhe i dëmshëm për ushtrinë tonë”.