UEFA i nisi dje hetimet ndaj Federatës së Futbollit të Rumanisë, e cila ngarkohet me gjashtë pika për thyerjen e rregullave në ndeshjen me plot skandale kundër Kosovës.
Tifozët rumunë bënë provokime nacionaliste ndaj “Dardanëve”, duke e shpalosur një pankartë me mbishkrimin “Kosova është Serbi”, ndërsa brohoritën edhe “Serbia, Serbia”, me ç’rast u ndërpre loja për gati një orë, për të vazhduar më pas dhe për të fituar rumunët me rezultat 2:0.
Por, kjo nuk është arsyeja e vetme për të cilën mund të dënohen rumunët pasi ata përfunduan në procedurë disiplinore edhe për pesë raste të tjera, që lidhen me bllokimin e rrugëve, ndezjen e objekteve piroteknike, hedhjen e gjësendeve në fushë, mesazhet ofenduese provokuese dhe sjelljet raciste.





