LAJME

Këto janë dy kandidatet e Vetëvendosjes për presidente

Këto janë dy kandidatet e Vetëvendosjes për presidente
TV Prizreni
TV Prizreni
27 Prill 2026, 18:38

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka njoftuar zyrtarisht se Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje ka proceduar kërkesën për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme për zgjedhjen e presidentit të vendit.

Seanca është caktuar të mbahet sonte në orën 20:30, ndërsa në këtë proces janë propozuar dy kandidate nga radhët e grave për postin e presidentes.

Lëvizja Vetëvendosje ka bërë të ditur se për këtë pozitë janë zyrtarizuar Feride Rushiti dhe Hatixhe Hoxha si dy kandidatura.

Hatixhe Hoxha është pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje që nga viti 2010.

Ajo ka shërbyer si anëtare e Kryesisë dhe si anëtare e Kuvendit Komunal të Prishtinës në vitin 2017, si dhe ka qenë kandidate për deputete në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017.

Aktualisht, ajo është anëtare e Këshillit të Përgjithshëm të këtij subjekti politik.

Hoxha ka përfunduar studimet bazë dhe magjistraturën në Fakultetin e Filologjisë në Universitetin e Prishtinës, ndërsa është në përfundim të studimeve të doktoratës.

Ajo ka përvojë si ligjëruese në Universitetin e Prishtinës, si dhe ka punuar si mësimdhënëse, gazetare dhe lektore.

Feride Rushiti është një nga figurat më të njohura të shoqërisë civile në Kosovë dhe drejtoreshë ekzekutive e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT).

Që nga viti 1999, ajo ka udhëhequr punën për rehabilitimin e viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë dhe për njohjen e statusit të tyre ligjor dhe institucional.

Rushiti është nderuar në vitin 2018 nga Departamenti Amerikan i Shtetit me çmimin “International Women of Courage”, për kontributin e saj në mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe guximin në angazhimin e saj shumëvjeçar.

Feride Rushiti dhe Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) ishin nominuar për Çmimin Nobel për Paqe për vitin 2025.

Ndërkohë, Haxhiu u ka bërë thirrje të gjithë deputetëve të Kuvendit që të marrin pjesë në seancë, duke theksuar se pjesëmarrja e tyre është obligim kushtetues./telegrafi/

 

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika