IIlir Dugolli, është emëruar ambasador në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Valdet Sadiku në Slloveni, Martin Berisha në Kroaci dhe Skender Durmishi në Shqipëri.
Këta janë ambasadorët e rinj të Kosovës merr vesh Albanian Post nga burime brenda Qeverisë së Kosovës, por që Ministria e Punëve të Jashtme nuk kanë kthyer përgjigje kur janë pyetur rreth kësaj çështje.
AP pati raportuar me 9 shtator se tashmë janë bërë gati emrat e 14 ambasadorëve të Kosovës për misione diplomatike, derisa pesë nga ta do të emërohen përmes çelësit politik, nëntë janë diplomatë karriere.
Në anën tjetër, hulumtuesi nga organizata jo qeveritare Demokracia Plus, Emir Abrashi, për Albanian Post pati potencuar se vonesat e tilla “padyshim që e dëmtojnë Kosovën”, sidomos siç thotë Abrashi, kur kanë mbetur më pak se dy javë deri në skadimin e moratoriumit të imponuar nga Marrëveshja e Uashingtonit – moratorium ky i cili ia pamundësonte Serbisë vazhdimin e fushatës për ç’ njohje ndaj Kosovës.
“Kosova tashmë është shumë e vonuar në emërimin e Ambasadorëve të rinj, dhe ulja e nivelit të përfaqësimit në nivel të Ngarkuarish me Punë, sigurisht se do ta penalizojë Kosovën në zhvillimin e marrëdhënieve me aleatët tanë. Por, përtej faktit që është e vonuar, kjo tregon edhe papjekurinë e diplomacisë kosovare, si dhe qasjen tonë jo-serioze krahas marrëdhënieve ndërkombëtare”, ka thënë Abrashi për Albanian Post.
Ndryshe, më tre shtator të këtij viti, ka dështuar mbledhja e Komisionit për Punë të Jashtme për intevistimin e ambasadorëve të lartcekur, pasi s’kishte kuorum.
12 ambasadorë të Kosovës ishin liruar nga detyra në muajin maj të vitit të kaluar nga Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla.
Pjesa më e madhe nga ta kanë qenë funksionar nëpër partitë politike.
Beqë Cufaj ambasador në Gjermani, Nait Hasani ambasador në Shqipëri, Arbër Vllahiu ambasador në Çeki, Lirim Grajçevci ambasador në Holandë, Shpend Kallaba ambasador në Hungari, Gezim Kasapolli ambasador në Kroaci, Avni Kastrati ambasador në Slloveni, Gjergj Dedaj ambasador në Maqedoninë e Veriut, Hajdin Abazi, ambasador në Australi, Ylber Hysa ambasador në Mal të Zi, Avni Arifi ambasador në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Amir Ahmeti ambasador në Katar, janë të liruarit nga detyra nga ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës. /Albanianpost.com