Anëtarët e Këshillit që kanë për detyrë të vëzhgojnë dhe të këshillojnë rreth aktiviteteve në Qendrën Historike të Prizrenit për ruajtjen e trashëgimisë së saj kulturore prej kohësh nuk janë kompensuar për punën që bëjnë. Ata kërkojnë trajtim të dinjitetshëm, derisa opozita thekson se trajtimi i deritanishëm i tyre ka qenë i padrejtë. Organet komunale duke u bazuar në një rregullore të Qeverisë po synojnë gjetjen e një zgjidhjeje për kompensim
Diskutimet lidhur me këtë sfidë kanë qenë të shpeshta në forume të ndryshme, të lehtësuara edhe nga organizatat ndërkombëtare, por deri më tani pa rezultate konkrete.
Megjithatë rishtazi organet komunale të Prizrenit kanë iniciuar plotësim-ndryshimin e nenit 4 të vendimit të datës 30 dhjetor 2022 për emërimin e anëtarëve të KTK-së, me qëllim që të mundësohet kompensimi i të njëjtëve, bazuar në dispozitat e Rregullores 10/2023 për Kompensimin dhe Funksionin Shtesë.
Edin Gështenja, anëtar i Këshillit për Trashëgiminë Kulturore të Qendrës Historike të Prizrenit, ka theksuar se ai dhe kolegët e tij që prej fillimit të këtij mandati kanë zhvilluar aktivitetin në mënyrë profesionale, ani pse nuk janë kompensuar në mënyrë adekuate. Sipas tij, kjo çështje është shqyrtuar disa herë dhe ka ardhur koha që Kuvendi i Komunës së Prizrenit të gjejë një zgjidhje meritore.
“Puna jonë po vazhdon pa u bllokuar për shkak të pagesës, pra për të mirën e Qendrës Historike të Prizrenit. Edhe pse pagesa nuk është primare për Këshillin, por kishte me qenë mirë që Kuvendi ta ketë një trajtim të dinjitetshëm për Këshillin, pra të bëjë një zgjidhje”, ka thënë Gështenja.
Trajtimi i deritanishëm i këtij këshilli, por edhe i aseteve të trashëgimisë kulturore në Prizren është cilësuar si i padrejtë nga opozita.
Dafina Alishani, asambliste e LVV-së, ka theksuar se trashëgimia kulturore duhet të jetë prioritet i qeverisë lokale, ashtu siç është proklamuar gjatë fushatës parazgjedhore.
“Nuk është aspak fer fati i Këshillit të Trashëgimisë se si ka mbetur. Nuk është fer as fati i trashëgimisë kulturore se si ka mbetur në këtë qytet. Mendoj që qasja është tejet e gabuar e kësaj qeverisjeje, nuk e ka prioritet trashëgiminë. Disa herë e kam cekur se trashëgimia po mbetet një temë e cila po konsumohet gjatë fushatave zgjedhore dhe me kaq përfundon”, ka deklaruar Alishani. Ajo ka theksuar se Kuvendi i Komunës së Prizrenit ka vendosur edhe për themelimin e Zyrës së Qendrës Historike me qëllim të promovimit të trashëgimisë kulturore të kësaj zone, porse deri më tani e njëjta nuk është funksionalizuar.
Antigona Berisha-Bytyqi, kryesuese e Kuvendit të Komunës së Prizrenit, ka konfirmuar se Këshilli sikurse edhe disa trupa të tjerë, përfshirë edhe Këshillin për fshatin Zym, sivjet nuk kanë pasur kompensime për shkak të Ligjit të pagave dhe shfuqizimit të udhëzimeve administrative. Sipas saj, për këtë problem janë adresuar shkresa në MAPL, respektivisht MPB, porse këto kërkesa kanë mbetur deri më tani pa përgjigje.
Ajo ka sqaruar se së fundmi është iniciuar plotësim-ndryshimi i vendimit të Kuvendit për KTK-në, në mënyrë që të mundësohet kompensimi sipas Rregullores 10/2023 për Kompensimin dhe Funksionin Shtesë. Sipas saj, me rekomandim të Komitetit për Politikë e Financa, ky akt do të shqyrtohet në mbledhjen e radhës së Kuvendit të Komunës, të thirrur për datën 28 shtator 2023.
“Kemi kërkuar një konsultim paraprak se a mund të veprojmë në këtë mënyrë, kështu që bashkë me zyrtarët ligjorë e kemi parë të arsyeshme që të mbështetemi në nenin 7 të rregullores së cekur dhe kërkoj nga anëtarët e Kuvendit që ta mbështesin këtë vendim për plotësim-ndryshim dhe pastaj të presim edhe ligjshmërinë nga ministria përkatëse”, ka thënë kryesuesja Berisha-Bytyqi.
Roli i Këshillit për Trashëgiminë Kulturore, që përbëhet nga 7 anëtarë sipas dispozitave të Ligjit për Qendrën Historike të Prizrenit, është që të vëzhgojë dhe të këshillojë rreth aktiviteteve në Qendrën Historike të Prizrenit për ruajtjen e trashëgimisë së saj kulturore.