Xhiro e 36-të dhe e fundit në Superligën e Kosovës në futboll ngjalli reagime të shumta për shkak të rezultateve të dyshimta në ndeshjet Trepça ’89-Prishtina dhe Ferizaj-Dukagjini.
Një gol i pësuar nga Dukagjini përballë Ferizajt në minutat shtesë ngjalli reagime të shumta në opinionin sportdashës duke ngritur dyshime se mund të ketë pasur kurdisje rezultatesh në këto ndeshje.
Në lidhje me këtë situatë, ka reaguar Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport që ka bërë të ditur se këto dy ndeshje, janë proceduar për hetime në prokuroritë përkatëse nga Këshilli për Parandalimin e Dhunës në Sport.
Pas MKRS-së, Këshill për Sport zbulon se dyshimet për kurdisjet eventuale janë adresuar menjëherë tek prokuroritë kompetente për verifikimet dhe hetimet e nevojshme.
Më poshtë mund ta lexoni komunikatën e lëshuar nga Këshilli për Sport, i drejtuar nga prokurori Besim Kelmendi.
“Këshilli Kombëtar për Parandalimin dhe Sanksionimin e Dhunës dhe Dukurive Negative në Ngjarjet Sportive (Këshilli për Sport) me vëmendje të shtuar e ka përcjellë zhvillimin e ndeshjeve të xhiros së fundit të Kampionatit të Kosovës në Futboll, duke përfshirë edhe reagimet e shumta të opinionit sportiv në relacion me dyshimet për kurdisjen eventuale të rezultatit të dy ndeshjeve të Superligës së futbollit të zhvilluara ndërmjet KF Ferizaj – KF Dukagjini dhe KF Trepça 89 – KF Prishtina. Këshilli për Sport e njofton opinionin publik se çështjet në fjalë i ka trajtuar me urgjencë, dhe dyshimet për kurdisje të rezultatit në dy ndeshjet e sipërshënuara të futbollit janë adresuar menjëherë tek prokuroritë kompetente për verifikimet dhe hetimet e nevojshme. Opinioni publik do të njoftohet me kohë lidhur me rrjedhën e procesit të hetimeve. Me respekt, Besim Kelmendi, Kryetar i Këshillit për Sport”.