Kryetari i Këshillit të Prindërve, Ymret Reshiti, ka thënë se kanë shprehur kundërshtitë e tyre për një pushim të parakohshëm në shkolla, por se u anashkaluan nga Ministria e Arsimit.
Ai tha se propozimi i fundit i Ministrisë së Arsimit që të gjitha institucionet arsimore anembanë vendit të shkojnë një javë në pushim për shkak të situatës me COVID-19 është në dëm të nxënësve, njofton Klan Kosova.
“Jemi kundër një pushimi të parakohshëm sepse s’ka bazë dhe arsye për marrjen e këtij vendimi që ka marrë Ministria e Arsimit dhe ajo e Shëndetësisë. Është e paqëndrueshme. Në atë vendim s’ka masa të kufizimit për bizneset dhe institucionet të tjera që po punojnë. Pse pikërisht arsimit? Është për keqardhje që po vazhdon anashkalimi i zërit të Këshillit të Prindërve si kategori ligjore dhe që shkelet pikërisht nga ministri i Arsimit. IKSHPK s’mund të jetë përfaqësues i zërit tonë. Ne i kontestojmë”.





