Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” prej javësh është jofunksional për shkak të dorëheqjes së disa prej anëtarëve të emëruar nga Ministria e Arsimit. Derisa nga kjo e fundit deklarojnë se emërimi i anëtarëve të rinj do të bëhet shumë shpejt, njohës të fushës së arsimit kërkojnë që në këto pozita të emërohen njerëz profesionistë e me integritet.
Në një përgjigje me shkrim nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, thuhet se dy anëtarë të Këshillit Drejtues kanë dhënë dorëheqje, por nuk kanë treguar arsyet se pse ka ndodhur një gjë e tillë.
Zëvendësimi i të njëjtëve, sipas përgjigjes së MASHTI-t, do të bëhet shumë shpejt, ani pse nuk jepet një datë se kur do të bëhet emërimi i anëtarëve të rinj në organin kryesor qeverisës të UP-së.
“Aktualisht bordi i UP-së nuk është funksional meqë kanë dhënë dorëheqje dy anëtarë të Këshillit. Prandaj, MASHTI do të përkujdeset që shumë shpejt në këto pozita të emërohen anëtarë të rinj të cilët i plotësojnë kriteret ashtu siç e parasheh ligji dhe statuti”, thuhet në përgjigjen e MASHTI-t.
Statuti i UP-së parasheh që MASHTI të emërojë 4 anëtarë me të drejtë vote dhe ata emërohen sipas dispozitave të Ligjit mbi arsimin e lartë. Në përgjigje të MASHTI-t thuhet se të emëruarit duhet të jenë persona me reputacion të lartë publikë, me aftësi përkatëse profesionale, afariste si dhe me aftësi të tjera praktike.
Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Naser Sahiti, deklaroi se Këshilli Drejtues është një organ shumë i rëndësishëm për universitetin, e në bazë të kësaj shprehet se presin që emërimi i anëtarëve të rinj nga MASHTI të bëhet sa më parë.
Ai potencoi se janë një mori kërkesash për të cilat duhet vendimmarrje nga anëtarët e Këshillit Drejtues të UP-së.
Sahiti: Presim që Këshilli Drejtues i UP të kompletohet sa më parë
“Presim që Këshilli të kompletohet sa më parë edhe të vazhdojë me trajtimin e kërkesave që janë të orientuara nga Këshilli Drejtues… Ka sigurisht kërkesa, ato janë të deponuara në administratë, ka edhe rregullore që po presin miratimin e Këshillit Drejtues dhe besojmë që ajo do të ndodhë shumë shpejt dhe pastaj ato do të futen rend të ditës dhe do të trajtohen”, thotë Sahiti.
Anëtarët e rinj të Këshillit Drejtues duhet të jenë individë me integritet dhe profesionistë, thotë drejtori i Institutit EdGuard, Rinor Qehaja. Emërimi i njerëzve profesionistë sipas tij është zgjidhja e vetme që të mund të sigurohet cilësi më e lartë e studimeve në Universitetin e Prishtinës.
Qehaja: Këshilli Drejtues i UP të ketë anëtarë me integritet dhe kredenciale të larta profesionale
“Është e rëndësishme që anëtarët e rinj të Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës të jenë individë me integritet dhe kredenciale të larta profesionale, të cilët mund të ofrojnë një përkrahje strategjike drejtë një cilësie më të lartë të studimeve në Universitet të Prishtinës”, shprehet ai.
Këshilli Drejtues është organi kryesor qeverisës i universitetit dhe përbëhet nga nëntë anëtarë me të drejtë vote. Ministria e Arsimit emëron katër anëtarë me të drejtë vote, ndërsa Senati zgjedh pesë anëtarë të Këshillit Drejtues me të drejtë vote nga personeli akademik i universitetit.