Gazetari serb nga veriu, Branislav Kërstiq, deklaroi se gjatë dy-tre javëve të ardhshme pritet të ketë paqe në veriun e Kosovës, pasi sipas tij, në këtë proces po synohet zbatimi i Aneksit të Marrëveshjes së Ohrit.
Ai deklaroi të mërkurën në “60 Minuta” të KTV-së, se mesazhet e përfaqësuesit të Bashkimit Evropian për politikë të jashtme, Josep Borrell, ishin që arrestimet e serbëve në veri janë të paligjshme, por siç tha Kërstiq, deklarimet e të dërguarit të SHBA-së, Gabriel Escobar, ishin pro arrestimeve dhe respektimit të ligjit. Kjo sipas tij, tregon që Kosova duhet të vazhdojë me arrestimin e kriminelëve që veprojnë në veri, por ai tha se kanë ndodhur edhe arrestime të gabuara.
“Ne e dimë që Njësia po arreston kriminelë në veri, askush s’po reagon, por nga 9 persona, 2 kanë qenë arrestime të gabuara. Nëse do të kemi edhe në të ardhmen arrestime, Policia duhet të marrë vendim në bazë ligjore dhe jam i sigurt që nëse do të bëhen arrestime, s’do të kemi rezistencën e disa serbëve sepse e dinë edhe kriminelët që janë në disa lista të kryeministrisë, janë larguar nga shteti dhe jam i sigurt që do të kemi 2-3 javë paqe në veri”, tha ai.





