Përmirësimi i ndjeshëm i gjendjes epidemiologjike çoi në zbutjen e masave kufizuese në disa fusha, por jo edhe në arsim. Sindikata e Arsimit dhe Këshilli i Prindërve kërkojnë që mësimi i rregullt të fillojë në shkolla nga java e ardhshme.
Institucionet shkollore të cilat ishin identifikuar të pestat në listën e përhapjes së koronavirusit nuk janë përfshirë në masat lehtësuese të qeverisë që u zbatuan në gastronomi dhe në qendra tregtare që u zbatua prej 31 majit. Nxënësit nga klasa e parë deri në klasën e pestë vazhdojnë të mbajnë mësimin në dy grupe por jo më shumë se dy orë kurse klasat e tjera janë duke zhvilluar mësimin në mënyrë të koordinuar online dhe me prezencë në shkolla.
Për këtë arsye kryetari i Këshillit të Prindërve të Kosovës Ymret Reshiti thotë se i kanë dërguar kërkesë Ministrisë së Arsimit për fillim të mësimit të rregullt nga java e ardhshme.





