Prokuroria Themelore në Prizren njofton opinionin publik se në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, pas hetimeve të zhvilluara lidhur me rastin, me datë 02.04.2026 kanë zhvilluar një aksion në Prizren, ku është zbuluar një laborator droge për kultivimin e bimës narkotike kanabis sativa, dhe janë arrestuar dy persona të dyshuar, si dhe janë asgjësuar rreth 300 bimë kanabis sativa të kultivuara në laborator.
“Lidhur me këtë çështje penale, i pandehuri M.M., në bashkëkryerje me I.M., pa autorizim, kanë kultivuar bimët me qëllim prodhimin e sasisë së madhe të narkotikëve dhe përgatitjen e tyre për shitje. Gjatë kontrollit, janë sekuestruar: mbi 700 vazo për kultivimin e bimëve narkotike, pajisje për ndriçim, ngrohje dhe ventilim të bimëve (motorra, trafo, klimë, lidhëse dhe termostat); thasë me dhe, bidona me preparate për rritjen e bimëve, dhe libra/udhëzues për kultivimin e kanabis sativa, gjethe dhe bimë të dyshuara narkotike me peshë mbi 90 gram; substanca narkotike 1.19 gram marihuanë dhe 0.41 gram kokainë, pajisje shtesë laboratorike, përfshirë pompë spërkatjeje, matës të lagështisë dhe temperaturës, dhe mbushës radiolidhjeje, një pistoletë, 29 fishekë, një veturë “Hundai pa targa, dhe një furgon që kanë shërbyer për transportin e narkotikëve dhe të pajisjeve për kultivimin e tyre, si dhe prova të tjera materiale” – thuhet në njoftim.
Me këto veprime, sipas Prokurorisë, të njëjtit dyshohet se kanë kryer veprat penale “Kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit” nga neni 272, “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, nga neni 267, dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Kërkohet paraburgim për të pandehurit në rastin e laboratorit të drogës në Prizren

Të pandehurit, gjenden në ndalim 48 orësh, dhe për të njëjtit Prokuroria njofton se ka parashtruar kërkesë për caktim të masës së paraburgimit.
Prokuroria Themelore në Prizren thekson tutje se vazhdon të mbetet e përkushtuar në luftën ndaj kriminalitetit, forcimin e sundimit të ligjit dhe vënien para drejtësisë të të gjithë atyre që bien ndesh me ligjin.
Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.
Të tjera nga rubrika

Kurti: Me projektligjin për çmimet tavan evitohen keqpërdorimet në emër të krizave

Qeveria miraton projektligjin për masat për produktet bazë në treg të destabilizuar

Konjufca: Kosova në linjë me partnerët për rihapjen e sigurt të Ngushticës së Hormuzit

