LAJME

Kërkohet paraburgim për një të dyshuar për fajde në Prizren, një tjetër në arrati

Kërkohet paraburgim për një të dyshuar për fajde në Prizren, një tjetër në arrati
TV Prizreni
TV Prizreni
6 Qershor 2026, 14:58

Prokuroria Themelore në Prizren ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj një personi të dyshuar për veprën penale “Fajdeja”, ndërsa një tjetër i dyshuar për të njëjtën vepër penale gjendet në arrati dhe është në kërkim nga organet kompetente.

Sipas Prokurorisë, të dyshuarit dyshohet se kanë vepruar në bashkëkryerje duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të të dëmtuarit, me ç’rast kanë kontraktuar dhe përfituar shuma dukshëm joproporcionale në raport me huanë e dhënë.

Nga hetimet e deritanishme rezulton se në shtator të vitit 2021 është lidhur një marrëveshje huazimi në vlerë prej 50 mijë eurosh, me kushte të rënda financiare për të dëmtuarin.

Sipas dyshimeve, marrëveshja ka përfshirë kamata mujore dhe përfitime të konsiderueshme pasurore në favor të të pandehurve.

Prokuroria njofton se më pas, përmes kërkesave të vazhdueshme për pagesë dhe presionit të ushtruar ndaj familjarëve të të dëmtuarit, është kërkuar kthimi i shumave shumëfish më të larta se huaja fillestare.

Sipas hetimeve, të dëmtuarit dyshohet se kanë paguar rreth 150 mijë euro, pa përfshirë borxhin bazë.

Ndërkohë, Prokuroria është duke zhvilluar hetime edhe ndaj një personi tjetër, i cili dyshohet për kryerjen e veprës penale “Manipulimi me prova”, për shkak të dyshimeve se ka ndërmarrë veprime me qëllim të pengimit ose vështirësimit të procedurës penale dhe administrimit të drejtë të provave.

“Prokurori i Shtetit, duke vlerësuar rrethanat e rastit, peshën e veprave penale, rrezikun e ndikimit në dëshmitarë, mundësinë e pengimit të procedurës penale si dhe rrezikun e ikjes, ka kërkuar nga gjykata kompetente caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit të arrestuar”- thuhet në njoftimin e lëshuar më 06.06.2026.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika