Prokuroria Themelore në Prishtinë ka parashtruar kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj dy edukatoreve të institucionit parashkollor ‘Gëzimi ynë’ në Fushë Kosovë, të cilat dyshohen se kanë keqtrajtuar një fëmijë 3-vjeçar.
Përmes një komunikate për media, Prokuroria njofton se N.M dhe N.H dyshohen për veprat penale “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike” dhe “Lëndimi i lehtë trupor”.
“Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, fëmija është dërguar për t’i përfunduar ekzaminimet e nevojshme mjeko-ligjore, sipas dispozitave të KPPRK-së, andaj në bazë të rezultateve nga ky raport, dyshohet se të pandehurat duke i keqpërdor detyrat e tyre zyrtare, me dashje e me qëllim të shkaktimit të lëndimeve trupore, me forcë e kanë tërhequr për krahë të dëmtuarin e mitur, në atë mënyrë që i kanë shkaktuar lëndime të lehta trupore”, thuhet në njoftim.
Në pamjet e publikuara nga ambientet brenda çerdhes shihet teksa 3-vjeçari, tërhiqet zvarrë nga mësueset, ndërsa tashmë janë publikuar edhe foto nga lëndimet që ka marrë fëmija.