Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti për Krime të Rënda, ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prizren caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve A.S., dhe I.H., në kohëzgjatje prej 30 ditësh, për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Rrezikimi i trafikut publik”.
Sipas kërkesës, me datë 16.12.2023 rreth orës 22:30, në autostradën ‘’Ibrahim Rugova’’ në Prizren, saktësisht në kilometrin e trembëdhjetë të saj nga aksi rrugor ‘’Prizren Veri’’ në drejtim të aksit rrugor ‘’Prizren Jug’’, me dashje dhe në bashkëkryerje, veprojnë në kundërshtim me Ligjin për Rregullat e Trafikut Rrugor, në atë mënyrë që paraprakisht, merren vesh dhe organizojnë garë të kundërligjshme automobilistike.
Të pandehurit A.S., dhe I.H., kishi lëvizur paralelisht me automjetet e tyre me një shpejtësi jashtëzakonisht të madhe, dhe në një moment i pandehuri i dytë me automjetin e tij i afrohet të pandehurit të parë, me ç’rast ky i fundit humb kontrollin mbi drejtimin e automjetit duke devijuar në mënyrë diagonale nga shiriti i majtë i rrugës, me ç’rast e godet automjetin e markës ‘’VW Golf’’, i cili ishte i ndalur në shiritin emergjent të austostradës dhe për pasojë godet për vdekje këmbësorët – viktimat N.B., M.D., dhe L.S.





