Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka thënë se do të duhej të formohej Fondi Emergjent për Komuna, në raste të fatkeqësive natyrore.
Ibrahimi thotë se për shkak të siç u shpreh ai, “burokracisë së tepruar”, qytetarët e prekur nga fatkeqësitë natyrore, nuk po kompensohen edhe pas disa muajsh.
“Ne si asociacion edhe më herët kemi kërkuar një Fond Emergjent për Komuna. Kur kemi dukuri të tilla, institucionet e Republikës së Kosovës, edhe autoritetet lokale e jo vetëm institucionet qendrore, t’u dalin në ndihmë qytetarëve të komunave përkatëse sa më shpejt”.
“Me këtë burokraci e cila është e paraparë me legjislacionin në fuqi, qytetarët e prekur nga vërshimet e muajit janar të këtij viti ende nuk kanë marrë ndonjë propozim nga niveli qendror dhe kjo është për të ardhur keq. Në bazë të informatave që kemi, në bazë të komunikimeve ditore që kemi me kryetarët, del që bujqit nuk janë kompensuar për dëmet e shkaktuara nga reshjet e vitit të kaluar, në veçanti në komunën e Rahovecit, ku kryetari Smajl Latifi e ka ngritur këtë shqetësim”, ka thënë ai.
Ibrahimi është shprehur se si asociacion, kërkojnë që këto politika shtetërore të ndryshohen.
“Si asociacion kërkojmë që këto politika shtetërore të ndryshohen. Kështu do të eliminohej burokracia që listat e të dëmtuarve së pari të aprovohen në kuvendin komunal, pastaj në Agjencinë për Emergjenca, prej Agjencisë për Emergjenca në komisionin vlerësues. Kemi burokraci të tepruar dhe për shkak të kësaj burokracie të tepruar”, ka thënë ai për EO./KlanKosova.tv/