Normalizimi i situatës me pandeminë COVID-19, bëri që gjatë tetorit interesimi i qytetarëve për t’u vaksinuar të ishte më i ultë.
Kështu ka bërë të ditur edhe Ministria e Shëndetësisë, ditë më parë përmes një njoftimi ku edhe bëri të ditur se plani pesë javor për vaksinim gjatë fundjavës, ka përfunduar, dhe se tani e tutje qendrat e vaksinimit punojnë vetëm gjatë ditëve të punës.
“Vaksinimi i një numri të konsiderueshëm të qytetarëve me dozën e parë dhe të dytë të vaksinës kundër COVID-19 dhe situata epidemiologjike më e qetë ka ndikuar që edhe kërkesat për vaksinim gjatë muajit tetor të jenë më të vogla. Ekipet e vaksinimit ia kanë dalë t’i përgjigjen çdo kërkese për vaksinim, gjatë pesë ditëve të punës, pa patur nevojë të punohet fundjavës”, thuhej në njoftimin e MSh-së.





