Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Përgjithshëm në një komunikatë për media ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve – personave juridik dhe G.P., S.S., B.S., – persona përgjegjës në kuadër të personave juridik, për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprat penale “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik” nga neni 415 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1, e lidhur me nenin 31, “Falsifikimi i dokumenteve” nga neni 390 paragrafi 1 lidhur me nenin 31, Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Sipas aktakuzës, me 26 qershor të vitit 2020, në Prizren, saktësisht në Kuvendin Komunal të Prizrenit, të pandehurit G.P., dhe S.S., si pronar dhe persona përgjegjës të personit juridik, në kuadër të veprimtarisë së tyre afariste, me dashje shkelin rregullat e prokurimit publik gjatë ofertës për dhënien e kontratës së prokurimit publik, dhe paraqesin dokumente të rreme me qëllim të mashtrimit në këtë procedurë, në atë mënyrë që në procedurën e prokurimit me titull “Instalimi i ndriçimit publik dhe riparimi i ndriçimit publik ekzistues në Komunën e Prizrenit”, ku si autoritet kontraktues ka qenë Kuvendi Komunal i Prizrenit, të pandehurit me qëllim të plotësimit të kushteve për pjesëmarrje në tender, për ta dëshmuar kapacitetin teknik dhe profesionale të biznesit, prezantojnë faturën fiktive të datës 01.05.2020, kinse kanë në pronësi semafor mobil për menaxhimin e trafikut në rrugë, si dhe prezantojnë listën fiktive të punëtorëve kinse i kanë 10 (dhjetë) punëtorë të punësuar, me të cilin veprim arrijnë të bindin autoritetin kontraktues dhe përfitojnë lidhjen e kontratës të datës 22.02.2021, me ç’rast përfitojnë në vlerë të kontratës në shumën prej 1,394,853.90 €uro (një milion e treqind e nëntëdhjetë e katërmijë e tetëqind e pesëdhjetë e tri euro e nëntëdhjetë cent), në të cilën shumë e dëmtojnë Buxhetin e Republikës së Kosovës. Me këto veprime në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik” sipas KPRK-së.
Po ashtu, të pandehurit G.P., dhe S.S., si pronarë dhe persona përgjegjës të personit juridik në kuadër të veprimtarisë së tyre afariste, me dije përdorin dokumentin e falsifikuar si origjinal, ashtu që paraprakisht merren vesh me të pandehurin B.S., si pronar i personin juridik, ku ky i pandehur iu lëshon faturën e datës 01.05.2020 me përmbajtje të rreme, po ashtu falsifikon listën e punëtorëve duke i pasqyruar në listë 10 (dhjetë) punëtorë të punësuar, ku më pas të pandehurit G.P., dhe S.S., këto dokumente i përdorin në procedurën e prokurimit me, me titull “Instalimi i ndriçimit publik dhe riparimi i ndriçimit publik ekzistues në Komunën e Prizrenit”. Me këto veprime, në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve” sipas KPRK-së.





