Keqinterpretimi i masave të BE-së kontribuoi në forcimin e narrativës kundër integrimit evropian

LAJMEMë pak se 24 min. për lexim
TV Prizreni
Botuar nga: TV Prizreni|43 minuta
Keqinterpretimi i masave të BE-së kontribuoi në forcimin e narrativës kundër integrimit evropian

Që nga përshkallëzimi i krizës në veri të Kosovës, marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian gjatë viteve të fundit janë shndërruar në një nga temat më të politizuara dhe më të keqinterpretuara në diskursin publik vendor dhe rajonal. Vendimi i BE-së për të vendosur masa të përkohshme ndaj Kosovës, të shpallura në qershor 2023, nuk u trajtuan vetëm si instrument teknik për menaxhimin e krizës, por u shndërruan shpejt në simbol politik, duke nxitur narrativa emocionale dhe shpesh keqinformuese që e paraqitën BE-në si aktor ndëshkues, të padrejtë ose të njëanshëm. Në këtë proces, kufiri mes informacionit faktik, interpretimit politik dhe dezinformimit apo keqinformimit është bërë më i paqartë.

Në shumicën e rasteve, mediat kosovare nuk kanë prodhuar dezinformim të qëllimshëm lidhur me këtë temë, por kanë trajtuar informacionin në mënyrë jo të duhur, si për shkak të presionit konkurrues, mungesës së ekspertizës ashtu edhe dominimit të narrativave politike, dhe kësisoj kanë luajtur rol në riprodhimin dhe zmadhimin e leximeve të pasakta lidhur me masat e përkohshme të BE-së.

Lidhur me këtë çështje janë shqyrtuar rreth tridhjetë artikuj në portalet e mediave kosovare, por edhe ato të rajonit, sikurse edhe raporte të organizatave të shoqërisë civile, të publikuara nga mesi i vitit 2023 deri në fund të vitit 2025.

Si rrjedhojë e analizës është parë se në diskursin publik kosovar, termat “masa”, “ndëshkime” dhe “sanksione” në disa raste specifike dhe nga media të caktuara janë përdorur pothuajse si sinonime, ndonëse juridikisht dhe politikisht ato përfaqësojnë kategori të ndryshme veprimi.

“Sanksionet e BE-së”, “Sanksionet ndaj Kosovës” dhe “BE-ja ndëshkon Kosovën” janë ndër titujt senzacionalistë që janë hasur në raportimet e mediave kosovare, edhe pse BE-ja ka vendosur masa të përkohshme administrative dhe politike, të lidhura drejtpërdrejt me situatën e sigurisë në veri dhe me mungesën e de-përshkallëzimit, duke synuar të ushtrojë presion për uljen e tensioneve dhe rikthimin në procesin e dialogut. Megjithatë, ky dallim thelbësor nganjëherë është neglizhuar gjatë raportimit.

Ndërkohë lidhur me këtë çështje edhe në mediat ruse ka pasur tituj senzacionalistë të llojit “BE-ja e gatshme që ta ndëshkojë Kosovën”, ani pse në brendi të lajmit zyrtarët e BE-së sqarojnë se bëhet fjalë për masa të përkohshme, apo edhe të llojit “Masa drastike e BE-së: Të ashtuquajturës Kosovë i rikthehen vizat?”, ndonëse në brendi të artikullit nuk ka asnjë deklaratë zyrtare të institucioneve të BE-së. Ngjashëm edhe në tabloidet serbe ka pasur tituj keqinformues të llojit “BE-ja ka vendosur sanksione ndaj Kurtit dhe Prishtinës! Perëndimi godet kryeministrin e rrejshëm të shtetit inekzistent”, sikurse edhe raportime të pabazuara në burime zyrtare të BE-së të tipit: “BE-ja paralajmëron sanksione të reja ndaj Prishtinës, por çështja është nëse do t’i zbatojë me të vërtetë”.

Tutje në mediat kosovare është vërejtur edhe narrativa se “BE ndëshkon Kosovën, ledhaton Serbinë”, ku masat bazuar kryesisht në deklaratat e zyrtarëve qeveritarë janë interpretuar si “ndëshkim” ndaj Kosovës, ani pse BE-ja ka theksuar se masat ishin të fokusuara në menaxhimin e krizës së sigurisë dhe mungesën e koordinimit në veri.

Një tjetër çështje që është vërejtur ka qenë edhe raportimi se BE-ja kërkon që Kosova të dorëzohet politikisht përmes këtyre masave, njëherësh për ta detyruar që të themelojë Asociacionin e Komunave Serbe të Kosovës, duke aluduar me tituj por pa fakte konkrete se “Mosthemelimi i Asociacionit rrezikon sanksione të reja për Kosovën”.

Në të njëjtin rrafsh, duke u bazuar vetëm në deklarata respektivisht pa ofruar detaje nga metodologjitë e matjes apo dëshmi më konkrete, është raportuar për efektin financiar të këtyre masave, duke potencuar se “Kosova ka humbur rreth 1 miliardë euro nga sanksionet e BE-së”, apo edhe se “Sanksionet e BE-së larguan investitorët e huaj nga Kosova”.

Por në masën më të madhe burimet më të zakonshme të kësaj narrative kanë qenë deklaratat e politikanëve të amplifikuara pa kontekst, ku mediat shpesh kanë cituar deklarata, pa verifikimin e fakteve, apo pa ju referuar dokumenteve zyrtare të BE-së, duke ndikuar në polarizimin politik, radikalizimin e debatit në rrjetet sociale, dhe uljen e besimit në BE, bashkë me rritjen e hapësirës për narrativat e Serbisë dhe të Rusisë, të cilat e përshkruajnë BE-në si të dobët ose të padrejtë.

Dezinformatat lidhur me këtë temë janë identifikuar edhe nga platforma për verifikimin e fakteve, Hibrid.info. Artikulli me titull “Kjo është çmenduri/ SHBA-BE të vendosura për sanksione të reja” është vlerësuar si dezinformatë, duke qenë se informacioni i publikuar është bazuar në deklarimet e ekspertëve dhe jo të zyrtarëve perëndimorë dhe se një pjesë e përmbajtjes së tij duket se është marrë nga artikulli analitik i publikuar nga “kosovo-online.com”.

Dezinformata tjetër e identifikuar nga kjo platformë ka qenë ndërlidhja në mes të ndalimit të vizitës së patriarkut Porfirije në Kosovë dhe masave të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës. Artikulli me titullin “Harroni heqjen e sanksioneve, Stano për ndalimin e hyrjes së Porfirie” sipas verifikuesve në përmbajtje s’ka pasur asnjë ndërlidhje të ndalimit të vizitës së Porfirijes me vazhdimin e masave ndaj Kosovës.

Krahas kësaj është identifikuar edhe deklarata gjysmë e vërtetë nga ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati lidhur me vendimin e BE-së për heqjen e disa masave, i cili në një postim në rrjetet sociale pretendon se Kosovës i janë hequr të gjitha masat.

 

Masat e BE-së me pasoja financiare dhe zhvillimore për Kosovën  

Masat e BE-së ndaj Kosovës krahas ndikimit në marrëdhëniet dypalëshe kanë pezulluar edhe mbështetjen financiare në disa programe, që sipas aktivistëve të shoqërisë civile kanë pasur pasoja zhvillimore për vendin.

Analiza e shkurtër “Ndikimi financiar i masave të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës”, publikuar në maj të vitit 2025 nga Instituti GAP mes tjerash thekson se kostoja totale e tyre në periudhën qershor 2023 – prill 2025 ka qenë mbi 600 milionë euro, prej të cilave vetëm 7 milionë janë humbur tërësisht.

“Masat e vendosura nga Bashkimi Evropian ndaj Kosovës kanë rezultuar me pasoja të theksuara financiare dhe zhvillimore, duke i kushtuar Kosovës rreth 613.4 milionë euro në projekte të pezulluara ose të shtyra për një afat të pacaktuar. Brenda kësaj shume, për shkak të kalimit të afateve të lejuara për nisjen e procedurave për projekte të caktuara, 7.1 milionë euro janë humbur tërësisht, përmes të cilave parashihej mbështetje për bujqësinë dhe turizmin rural, rritjen e konkurueshmërisë së ndërmarrjeve, dhe më shumë. Këto masa kanë ndikuar drejtpërdrejt në zbatimin e projekteve të financuara përmes fondeve IPA (rreth 218 milionë euro) dhe WBIF (395.5 milionë euro) duke bllokuar kështu nënshkrimin dhe zbatimin e tyre”, thuhet në raport.

Aty sqarohet se nga fondet IPA janë ndikuar tri marrëveshje të nënshkruara (2020, 2021 dhe 2022) dhe një marrëveshje e paproceduar (2024). Kurse nga Korniza e Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF) janë bllokuar tetë aplikime për grante dhe kredi, dy gjatë vitit 2023 dhe gjashtë gjatë vitit 2024.

Në të njëjtën kohë nënvizohet se sektorët më të prekur përfshijnë mjedisin me 350.7 milionë euro, energjinë me 114.4 milionë euro, digjitalizimin me rreth 57 milionë euro dhe kulturën me 15 milionë euro.

Realizimi i këtyre projekteve, sipas raportit, ishte parashikuar të financohej përmes granteve dhe kredive, me një kontribut prej rreth 421 milionë euro nga Bashkimi Evropian, afërsisht 162 milionë euro nga palët e treta, si dhe vetëfinancim në vlerën e rreth 31 milionë euro.

Sipas hulumtuesve të Institutit GAP të gjitha këto kanë pasur efekte negative për qytetarët e Kosovës, ngase përfitimet nuk janë sjellë në kohën e duhur dhe ndikojnë në humbjen e përfitimeve të pritshme socio-ekonomike si dhe në rritjen e kostove financiare për zbatimin e mëvonshëm.

“Vonesat në realizimin e projekteve, të shkaktuara kryesisht nga masat e vendosura nga Bashkimi Evropian ndaj Kosovës, nuk përbëjnë vetëm pengesë teknike në rrjedhën e financimit, por janë duke u përkthyer në humbje konkrete për shoqërinë. Ato ndikojnë drejtpërdrejt në humbjen e përfitimeve të pritshme socio-ekonomike si dhe në rritjen e kostove financiare për zbatimin e mëvonshëm. Kur një projekt në fushën e energjisë apo arsimit nuk realizohet në kohë, ai përkthehet në kushte jo të përshtatshme për mësim apo në shpenzime më të larta për ngrohje, që rëndojnë mbi buxhetin publik dhe individual. Për më tepër, vonesat e vazhdueshme cenojnë besueshmërinë e institucioneve vendore ndaj partnerëve ndërkombëtarë dhe pengojnë fonde të reja. Realizimi i projekteve në kohën e planifikuar nuk është thjesht çështje teknike e menaxheriale, por një domosdoshmëri strategjike për të ruajtur ritmin e reformave, për të sjellë përfitimet tek qytetarët në kohën e duhur dhe për të forcuar kredibilitetin institucional në procesin e integrimit evropian”, kanë bërë të ditur hulumtuesit e Institutit GAP.

Ndërkaq në Letrën e Hapur drejtuar krerëve të institucioneve kyçe të Bashkimit Evropian, më 20 tetor 2025, një grup organizatash të shoqërisë civile patën theksuar se masat e vendosura ndaj Kosovës kanë pasur ndikim negativ në reformat demokratike, sundimin e ligjit dhe mbështetjen për qytetarët, duke bërë thirrje për heqjen e tyre sa më të shpejtë.

“Më shumë se dy vjet më vonë, kemi parë se këto masa nuk rezultuan të jenë as të kthyeshme e as të përkohshme. Ato e kanë sfiduar, por jo edhe thyer, besimin dhe partneritetin që lidh Kosovën me Bashkimin Evropian dhe idealet e tij të parimeve, drejtësisë, solidaritetit dhe shpresës. Përtej ndikimit të tyre financiar, këto masa kanë dekurajuar përpjekjet për reforma, kanë kufizuar punën e shoqërisë civile dhe kanë zvogëluar ndihmën në sundim të ligjit, shëndetësi dhe arsim. Kjo situatë vazhdon të pengojë integrimin evropian të Kosovës, i cili mbetet vendi i vetëm në kontinent me orientim të qartë drejt BE-së që ende nuk ka marrë statusin e kandidatit”, thuhej në letrën e OShC-ve.

Ndikimi në perspektivën për integrim evropian, konfirmohet edhe në artikullin Overcoming Inertia in Kosovo”, të botuar në maj të këtij viti në Carnegie Europe, ku thuhet se Kosova vazhdon që të përballet me pengesa të konsiderueshme në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE. Ndërkohë për të ecur përpara sipas autorëve të artikullit ajo duhet ta ringjallë dialogun me Beogradin, të përshpejtojë reformat, ndërkohë që BE-ja duhet të ofrojë një udhërrëfyes të qartë dhe të besueshëm për heqjen e masave dhe avancimin e perspektivës evropiane të Kosovës.

Çfarë ishin realisht “masat” e BE-së dhe si është gjendja e tanishme?

Masat e BE-së ndaj Kosovës janë vendosur pas disa krizave në veri, të nxitura fillimisht lidhur me çështjet e lëvizjes së lirë, sikurse tabelat e regjistrimit të automjeteve si rezultat i vendimit të Qeverisë së Kosovës të datës 29 qershor 2022, që është shoqëruar me tensione në korrik të vitit 2022 dhe ka vazhduar me vendosjen e barrikadave në rrugë dhe dorëheqjet kolektive të serbëve të Kosovës nga institucionet e Kosovës në nëntor të vitit 2022.

Pas këtyre dorëheqjeve zgjedhjet lokale në katër komunat në veri të Kosovës fillimisht të parapara për dhjetor të vitit 2022 janë organizuar në prill  të vitit 2023, dhe përkundër ujdive të arritura në Bruksel më 27 shkurt dhe në Ohër më 18 mars 2023, serbët lokalë nuk kanë marrë pjesë.

Për shkak të bojkotit të serbëve dhe me pjesëmarrje të ulët të votuesve, në katër komunat me shumicë serbe janë zgjedhur kryetarët nga radhët e komunitetit shqiptar.

Tensionet në veriun e Kosovës nisën më 26 maj 2023, kur Policia e Kosovës ndihmoi kryetarët shqiptarë të komunave Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq të vendosen në objektet komunale, me gjithë rezistencën e banorëve lokalë.

Ato kulmuan më 29 maj 2023, kur serbët lokalë u përleshën me ushtarët e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR. Nga përleshjet mbetën të lënduar dhjetëra persona, përfshirë paqeruajtësit e KFOR-it dhe gazetarët.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në adresimin pas këtyre zhvillimeve pat shprehur qëndrimin se “kryetarët e zgjedhur nga zgjedhjet e 23 prillit, përkundër daljes së ultë në zgjedhje për shkak të bojkotit të diktuar dhe detyruar mbi serbët e Kosovës, megjithatë janë të vetmit që kanë çfarëdo legjitimiteti të jenë në ndërtesa të komunave, dhe në shërbim të qytetarëve”.

“Unë e di të dashur qytetarë që në grumbullimet dje dhe sot ka pasur edhe protestues paqësor. Por protestat dje e sot nuk ishin paqësore. Një protestë që sulmon policinë e cila e ruan rendin dhe zbaton ligjin, pjesëtarët e KFOR-it që e ruajnë qetësinë dhe stabilitetin, dhe gazetarët të cilët raportojnë mbi ngjarjet nga terreni, nuk janë protestë për komunën, por për pushtet. Në Kosovë, pushteti mund të merret vetëm përmes zgjedhjeve. Jo me dhunë dhe krim”, pat thënë Kurti.

Por, BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara i patën paraqitur Kurtit tri kërkesa: qetësimin e situatës në veri, mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat në veri dhe kthimin në dialogun për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi.

Në vet deklaratën e Përfaqësuesit të Lartë të datës 3 qershor 2023, përmendet vendosja e masave, të lidhura drejtpërdrejt me mungesën e de-eskalimit në veri të Kosovës.

Në këtë deklaratë bëhet thirrje që Kosova dhe Serbia menjëherë dhe pa kushte të ndërmarrin masa për de-përshkallëzim, të ndalojnë përdorimin e retorikës përçarëse dhe të përmbahen nga çdo veprim i pakoordinuar, duke theksuar se mos de-eskalimi i tensioneve do të çojë në pasoja negative.

“Ne presim që Kosova të veprojë në mënyrë jo-përshkallëzuese dhe të pezullojë menjëherë operacionet policore në afërsi të ndërtesave komunale në veri të Kosovës. Kryetarët e komunave duhet përkohësisht t’i kryejnë detyrat e tyre në hapësira të tjera, jashtë ndërtesave komunale. Zgjedhjet e parakohshme duhet të shpallen sa më shpejt të jetë e mundur në të katër komunat dhe të organizohen në mënyrë plotësisht gjithëpërfshirëse. Presim që serbët e Kosovës të marrin pjesë në këto zgjedhje. Shprehim shqetësim për nivelin më të lartë të gatishmërisë së Forcave të Armatosura të Serbisë”, thuhej në deklaratë, duke shtuar se BE-ja pret që Kosova dhe Serbia të veprojnë me përgjegjësi dhe të angazhohen menjëherë në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja, për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme për situatën në veri të Kosovës, e cila garanton siguri, rend dhe demokraci pjesëmarrëse për të gjithë qytetarët, dhe që hap rrugën për zbatimin e Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit dhe Aneksit të saj.

“Kjo përfshin edhe fillimin, pa asnjë vonesë apo parakusht të mëtejmë, të punës për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe”, thuhej në deklaratë.

raportin e fundit të BE-së për Kosovën të publikuar më 4 nëntor 2025, thuhet se nga maji i vitit 2025 janë ndërmarrë disa hapa për heqjen graduale të masave ndaj Kosovës, të kushtëzuara nga de-eskalimi i qëndrueshëm në veri.

Në shtojcën 1 të këtij raporti gjithashtu shkruan se nga qershori 2023, në përputhje me masat e BE-së ndaj Kosovës, mbledhjet e organeve të SAA janë pezulluar dhe se nga maji 2025, BE-ja ka ndërmarrë disa hapa për të hequr gradualisht këto masa.

“Hapat e ardhshëm mbeten të kushtëzuar nga një ulje e qëndrueshme e tensioneve në veri. Komisioni ka ndërmend të heqë më tej këto masa, nëse arrihet një transferim i rregullt i qeverisjes lokale në veri pas raundit të dytë të zgjedhjeve lokale dhe nëse ulja e tensioneve mbetet e qëndrueshme”, thuhet në shtojcë.

Aty po ashtu konfirmohet se miratimi i masave ndaj Kosovës në mes të vitit 2023 ka ndikuar në përkrahjen financiare.

“Programimi i fondeve të mbetura të IPA III është pezulluar, së bashku me miratimin e projekteve WBIF. Nisja e procedurave të prokurimit dhe nënshkrimi i kontratave janë pezulluar. Pas fillimit të heqjes graduale të masave, katër projekte të ndihmës teknike në mbështetje të investimeve të mundshme të ardhshme në kuadër të Reform and Growth Facility janë paraqitur përsëri para Bordit të WBIF dhe më pas miratuar në korrik”.

Ndërkaq presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen në deklaratën e datës 17 dhjetor 2025 pat njoftuar se institucionet evropiane po ecin përpara për të hequr masat ndaj Kosovës, pas tranzicionit të qetë dhe të rregullt të qeverisjes lokale në veri pas zgjedhjeve të fundit komunale. “Ne po programojmë 216 milionë euro ndihmë financiare. Dhe kemi ndërmend të lëvrojmë 205 milionë euro në fillim të vitit të ardhshëm”, thuhet në këtë deklaratë.

Edhe në përgjigjen e dërguar në adresë të OShC-ve të Kosovës, Komisioni Evropian ka ritheksuar se hapat e parë për heqjen e masave kanë filluar, ku janë liruar 216 milionë euro dhe së shpejti pritet të lirohen edhe 205 milionë euro të tjerë.

“Po ashtu, nga masat politike, shprehet se kanë rifilluar takimet e nën-komiteteve të Stabilizim-Asociimit. Këto veprime janë paralajmëruar në konkluzionet e Këshillit Europian të datës 16 dhjetor 2025”.

Terminologjia rreth “masave” të BE-së u keqinterpretua gjerësisht

Verifikuesi i fakteve nga Hibrid.info dhe hulumtuesi, Festim Rizanaj ka vlerësuar se komunikimi zyrtar i BE-së lidhur me masat ka qenë teknik dhe i paqartë, duke i hapur rrugë keqinterpretimit të gjerë në diskursin publik.

“Terminologjia rreth “masave” të BE-së u keqinterpretua kaq gjerësisht sepse komunikimi zyrtar i BE-së ishte teknik dhe i paqartë, ndërsa aktorët politikë dhe mediat në Kosovë e përdorën çështjen për qëllime të brendshme politike. Vetë BE-ja shmangu fjalën “sanksione” për arsye diplomatike, duke përdorur terma si “measures” ose “restrictive measures”, që për publikun nuk kishin kuptim të qartë. Kjo krijoi hapësirë për interpretime të ndryshme: opozita i quajti “sanksione” për të rritur presionin ndaj qeverisë, ndërsa qeveria përdori termin “masa të përkohshme” për të minimizuar ndikimin politik. Mediat i amplifikuan këto lexime të kundërta pa sqarime të sakta, duke e shtuar konfuzionin. Për pasojë, debati publik u dominua më shumë nga narrativat politike sesa nga përmbajtja reale e vendimit të BE-së, dhe vetë termi u kthye në simbol politik, jo në një përshkrim teknik të situatës”, ka thënë Rizanaj.

Sipas tij narrativat negative rreth BE-së janë nxitur nga një kombinim faktorësh politikë që lidhen si me kalkulimet e brendshme, ashtu edhe me dinamikat e jashtme.

“Së pari, aktorët politikë i përdorin kritikat ndaj BE-së si mjet për t’i shmangur përgjegjësitë e brendshme dhe për ta zhvendosur fajin te “faktori ndërkombëtar”, sidomos kur përballen me kriza në veri, dështime në dialog ose pakënaqësi publike. Së dyti, partitë opozitare dhe pozita krijojnë narrativa kontradiktore për të delegjitimuar njëra-tjetrën: njëra palë e akuzon BE-në se po “favorizon Serbinë”, tjetra se po “ndëshkon Kosovën” për shkak të gabimeve të qeverisë. Së treti, mungesa e komunikimit të qartë dhe proaktiv të BE-së krijon vakum informativ që politikanët e mbushin me interpretime të veta. Së fundi, aktorë të jashtëm – sidomos Rusia përmes mediave rajonale – i nxisin narrativat anti-BE për të dobësuar rolin e saj në Ballkan. Të gjitha këto e bëjnë BE-në një objektiv të lehtë për retorikë negative, të përdorur më shumë për përfitime politike sesa për debat substantiv”, është shprehur Rizanaj.

Narrativat dezinformuese, sipas tij, e ulin ndjeshëm besueshmërinë e institucioneve evropiane tek qytetarët e Kosovës duke krijuar perceptime të shtrembëruara të qëllimeve, rolit dhe veprimeve të BE-së.

“Kur qarkullojnë narrativa se BE-ja “mbron Serbinë”, “ndëshkon Kosovën pa arsye”, “po e frenon integrimin”, apo “po e destabilizon veriun”, ato ushqejnë zhgënjim dhe dyshim tek publiku, sidomos në momente tensioni politik. Këto narrativa krijojnë ndjenjën se BE-ja është e padrejtë ose jo-konsistente, duke e dobësuar perceptimin e saj si ndërmjetës neutral dhe partner strategjik. Për më tepër, dezinformimi shpesh shfrytëzohet nga aktorët e brendshëm për të fituar pikë politike, duke i polarizuar qytetarët dhe duke i bërë më pak të hapur ndaj mesazheve zyrtare të BE-së. Në rezultat, qytetarët kanë më pak besim te proceset e dialogut, te roli i BE-së dhe te perspektiva e integrimit, gjë që ndikon drejtpërdrejt në stabilitetin e marrëdhënieve Kosovë-BE”, ka deklaruar ai.

Në të njëjtën kohë thekson se me raste, ekziston një hendek informimi midis komunikimit zyrtar të BE-së, që shpesh është teknik dhe i ngadaltë, dhe interpretimit mediatik, i cili mund të amplifikojë shqetësime dhe keqkuptime, duke i dhënë hapësirë për përhapjen e dezinformatave dhe narrativave të manipuluara.

“Në këtë kontekst, komunikimi i BE-së mund të interpretohet në mënyra të ndryshme për konsum të gjerë politik, qoftë nga partitë politike për qëllime elektorale, qoftë nga mediat për të ushqyer kritikë ndaj pushtetit apo për të nxitur debat publik mbi masat dhe vendimet e Bashkimit Evropian”.

Partitë politike e kanë përdorur çështjen e masave të BE-së si instrument narrativ

Gazetarja me përvojë në verifikimin e fakteve, Gentiana Paçarizi, ka theksuar se politizimi është i dukshëm në mënyrën e raportimit për masat e BE-së ndaj institucioneve të Kosovës.

“Partia në pushtet dhe ato në opozitë e kanë përdorur çështjen e masave të BE-së si instrument narrativ: qeveria është përpjekur t’i minimizojë ose t’i paraqesë si të padrejta, ndërsa opozita i ka shfrytëzuar për ta portretizuar qeverinë si aktor destruktiv. Në praktikë, masat e BE-së janë përdorur në dy drejtime: për të nxitur frikë te qytetaret ose për të minuar besueshmërinë ndaj vetë institucioneve të BE-së. Media, e ndikuar nga ky polarizim, shpesh nuk ka arritur të ofrojë analizë të pavarur mbi këtë çështje dhe ka lëvizur kryesisht brenda këtyre dy kornizave narrative”.

Sipas saj burimi kryesor i keqinterpretimit janë vetë interpretimet politike të deklaratave dhe vendimeve të BE-së nga aktorët politikë në vend. “Këto interpretime shpesh paraqiten si fakte dhe pastaj riprodhohen nga media, të cilat zakonisht nuk kanë hulumtim të pavarur, kanë qasje të kufizuar te institucionet e BE-së dhe varen nga komunikime të përgjithshme e të mjegulluara që vijnë nga vetë BE-ja”.

Termat teknikë të politikës së BE-së, sipas Paçarizit, raportohen zakonisht pa ekspertizën dhe njohurinë e nevojshme. “Shpesh paraqiten në mënyrë të thjeshtëzuar dhe pa nuancat që kërkojnë për t’u kuptuar saktë. Rrallëherë zbërthehen për publikun, gjë që çon në interpretime të gabuara dhe krijon një perceptim të shtrembëruar mbi vetë politikat dhe mekanizmat e BE-së”.
Krahas kësaj ka theksuar se ka edhe mungesë transparence ose saktësie në komunikimet zyrtare që krijojnë vështirësi për gazetarët.

“Kjo është një nga sfidat kryesore në raportimin për çështjet që lidhen me BE-në. Komunikimet zyrtare të BE-së shpesh janë të përgjithshme, të formuluara në gjuhë diplomatike dhe nuk ofrojnë qartësi mbi zhvillimet. Për më tepër, ka kufizime të shumta mbi atë që mund të bëhet publike dhe çfarë mbetet konfidenciale. Po ashtu, BE-ja në njëfarë mënyre ua lejon palëve të dalin me versione diametralisht të kundërta, pa ndërhyrë për të ofruar sqarime të nevojshme. Kjo krijon hapësirë për interpretim nga aktorët politikë në vend. As institucionet e Kosovës nuk janë transparente dhe shpesh ofrojnë informata të pjesshme, duke shtyrë përpara interpretimet. Në mungesë të transparencës, gazetarët detyrohen të mbështeten në interpretime individuale ose në deklarata politike, gjë që e vështirëson raportimin e saktë dhe e ul cilësinë e tij”, ka thënë Paçarizi.


Dezinformimi mund të krijojë zhurmë ose konfuzion në debatin publik, por nuk e ndryshon themelin e partneritetit të BE-së me Kosovën

Në anën tjetër, Nikola Gaon Sorokin nga Zyra e BE-së në Kosovë ka theksuar se kjo zyrë e trajton shumë seriozisht çështjen e dezinformimit. “Kohë pas kohe, ne vërejmë narrativa dezinformuese që lidhen me qëndrimet e BE-së, veçanërisht kur vendimet janë komplekse ose kur ndjeshmëritë politike janë të larta”. “Pikërisht për këtë arsye, BE-ja vazhdon të investojë në komunikim të qartë dhe transparent, si dhe në angazhim me mediat, institucionet dhe shoqërinë civile, për të siguruar që informata të sakta të jenë në dispozicion për qytetarët e Kosovës”, ka thënë ai.

Zyrtari evropian ka theksuar se angazhimi i Zyrës së BE-së mbetet i pandryshuar përkatësisht “të mbështesim Kosovën në rrugën e saj evropiane dhe të ruajmë një dialog publik të informuar dhe të bazuar në fakte”. “Për më tepër, brenda Shërbimit Evropian për Veprim të Jashtëm (EEAS), Divizioni për Komunikim Strategjik dhe Task Forca e dedikuar për Ballkanin Perëndimor monitorojnë dhe analizojnë nga afër narrativat keqinformuese që mund të ndikojnë BE-në, politikat e saj dhe partnerët e saj”, është shprehur ai.

Në pyetjen nëse narrativat dezinformuese ndikojnë në dobësimin e bashkëpunimit ndërmjet BE-së dhe institucioneve të Kosovës, zyrtari evropian ka sqaruar se ky bashkëpunim “mbetet afatgjatë, konstruktiv dhe i bazuar në objektiva të përbashkëta”.

“Dezinformimi mund të krijojë zhurmë ose konfuzion në debatin publik, por nuk e ndryshon themelin e partneritetit tonë”.

Sipas tij, BE-ja mban kanale të rregullta dhe profesionale komunikimi me të gjitha institucionet relevante dhe punon së bashku me to për të siguruar që qytetarët e Kosovës të marrin informata të qarta dhe të sakta. “Ne besojmë se angazhimi i vazhdueshëm dhe transparenca janë mënyrat më efektive për të kundërshtuar çdo përpjekje për të minuar bashkëpunimin”, ka deklaruar Gaon Sorokin.

Sipas tij, Zyra e BE-së ndërmerr hapa të ndryshëm për të përmirësuar qartësinë e komunikimit publik në Kosovë.

“Si ofruesi më i madh i ndihmës financiare për Kosovën, me 3.7 miliardë euro të investuara që nga viti 1999, BE-ja i kushton rëndësi të veçantë komunikimit transparent, në mënyrë që qytetarët të mund ta shohin qartë ndikimin e ndihmës dhe partneritetit tonë. Ne informojmë rregullisht publikun përmes deklaratave, brifingjeve, rrjeteve sociale dhe angazhimit të drejtpërdrejtë me gazetarët dhe shoqërinë civile. Përveç kësaj, BE-ja mbështet iniciativa që forcojnë cilësinë e përgjithshme të mjedisit informativ, përfshirë: forcimin e mediave të pavarura dhe profesionale; mbështetjen e verifikimit të fakteve dhe përpjekjeve për edukim mediatik; angazhimin me komunitetet joshumicë dhe të rinjtë. Në përpjekjet tona të komunikimit, ne bashkëpunojmë ngushtë me përfaqësuesit e shteteve anëtare të BE-së në Kosovë. Qëllimi ynë është të sigurojmë që qytetarët e Kosovës të kenë qasje në informata të sakta, të balancuara dhe të besueshme rreth punës së BE-së dhe mbështetjes së saj për Kosovën”, ka thënë ai.

Në të njëjtën kohë ka nënvizuar se Kosova mbetet një nga shoqëritë më pro-evropiane në rajon dhe se besimi i publikut në BE vazhdon të jetë i lartë. “Megjithatë, ne e pranojmë se dezinformimi, si nga faktorë të jashtëm ashtu edhe të brendshëm, mund të krijojë pasiguri, veçanërisht kur prek çështje të ndjeshme ose shfrytëzon ndarje ekzistuese politike apo shoqërore. Veprimet e BE-së udhëhiqen nga parimet tona, acquis-i i BE-së dhe angazhimi ynë afatgjatë për stabilitetin e Kosovës, multietnicitetin, zhvillimin demokratik dhe rrugën e saj evropiane”, është shprehur zyrtari evropian.

Pyetjet lidhur me çështjen në fjalë i janë dërguar edhe Zyrës për Komunikim me Publikun në Qeverinë e Kosovës, por deri në momentin e raportimit nuk janë pranuar përgjigjet.

Rreziku që keqinformimi të vazhdojë të formësojë perceptimin publik ende mbetet i lartë

Diskursi rreth masave të BE-së ndaj Kosovës tregon se problemi kryesor nuk është prodhimi i dezinformimit të qëllimshëm nga mediat kosovare, por trajtimi jo i duhur i informacionit kompleks.

Sipas gazetares Gentiana Paçarizi mediat që punojnë me standarde profesionale mund të veprojnë si pararojë, duke e zvogëluar dezinformimin përmes raportimit analitik, kontekstual dhe shpjegues. “Problemi është se ky lloj raportimi është i rrallë, sepse kërkon kohë, ekspertizë dhe burime që shumica e redaksive nuk i kanë në dispozicion”, ka thënë ajo.

Rreziku që keqinformimi të vazhdojë të formësojë perceptimin publik ende mbetet i lartë.

Paçarizi konsideron se gazetaria cilësore që informon, shpjegon dhe kontekstualizon është masa e parë dhe më e rëndësishme për ta rritur aftësinë e publikut në kuptimin e informacionit politik. “Për të zvogëluar ndikimin e dezinformimit, gazetarët kanë obligim t’i ofrojnë lexuesit kontekstin, sqarimet dhe nuancat që e bëjnë shumë më të vështirë që narrativat e shtrembëruara të depërtojnë te publiku”.

Sfida kryesore për mediat dhe institucionet nuk është vetëm ta raportojnë konfliktin politik, por ta zbërthejnë atë.

“Kur informacioni politik jepet pa kontekst, publiku mbetet i pambrojtur ndaj interpretimeve të gatshme dhe emocionale. Por kur raportimi është shpjegues dhe analitik, qytetarët pajisen me njohuritë e nevojshme për t’i kuptuar proceset dhe për të gjykuar vetë, duke mos u varur nga narrativat politike apo përmbajtjet e thjeshtëzuara të rrjeteve sociale”, ka thënë ajo.

Profesionistët e fushës konsiderojnë se në këtë mënyrë mund të ruhet besimi publik dhe të mbrohet perspektiva evropiane e Kosovës.

Artikull i shkruar nga gazetarët: Fisnik Minci dhe Raif Kırkul

(Fotografia: https://www.facebook.com/GOVRKS)

Ky material është realizuar në kuadër të projektit Integriteti i Mediave dhe Gjurmimi i Dezinformimit (MIDWatch), i cili po implementohet nga BIRN Kosova, Internews Kosova dhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës. Projekti mbështetet nga Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë përmes financimit nga Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar. Pikëpamjet e shprehura nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht politikat zyrtare të Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar dhe organizatave implementuese.

 

 

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika