Korporata Energjetike e Kosovës – KEK Sh.A. njofton se, bazuar në Bilancin Vjetor Energjetik të aprovuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE), ka realizuar 97% të planit vjetor të prodhimit të energjisë elektrike për vitin 2025, pavarësisht sfidave teknike dhe ndërhyrjeve kapitale për modernizimin e njësive gjeneruese.
Sipas KEK-ut, ky rezultat është arritur gjatë një periudhe intensive pune, e cila ka përfshirë modernizimin e turbinave në njësinë B2, realizimin e remonteve të rregullta vjetore si dhe zbatimin e projekteve kapitale në njësitë B1, B2 dhe A3, duke siguruar funksionim të qëndrueshëm dhe të sigurt të sistemit energjetik kombëtar.
“Analiza e të dhënave mujore të prodhimit dëshmon se, në disa muaj kyç, prodhimi ka tejkaluar planifikimin deri në 110%. Krahasimisht, në dhjetor 2024 realizimi i prodhimit ishte 76.5%, ndërsa në dhjetor 2025, falë përfundimit me sukses të remonteve vjetore dhe ndërhyrjeve modernizuese, si dhe me rënien e temperaturave dhe operimin paralel të pesë njësive gjeneruese, KEK ka tejkaluar planin e prodhimit me 102%. Periudhat me realizim më të ulët lidhen drejtpërdrejt me fazat intensive të modernizimit dhe remonteve të planifikuara. Megjithatë, në nivel vjetor, KEK ka ruajtur stabilitetin e sistemit energjetik kombëtar dhe ka përmbushur objektivat strategjike të prodhimit” – thuhet në njoftim.






