Korporata Energjetike e Kosovës (KEK Sh.A.) njofton opinionin publik se projekti kapital “Rehabilitimi dhe Modernizimi i Njësisë A3” në Termocentralin Kosova A vazhdon, në përputhje të plotë me ligjin dhe me vendosmërinë e pandryshuar të KEK-ut për ta çuar përpara këtë investim strategjik për sektorin energjetik të Kosovës, sipas njoftimit të KEK-ut.
“Ky projekt, i cili ishte pezulluar përkohësisht për shkak të një ankese të paraqitur nga një Operator Ekonomik në OSHP, ka marrë tashmë dritën e gjelbër për të vijuar. Më datë 10.07.2025, Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) ka hedhur si të palejuar ankesën e operatorit ankues dhe ripohoi ligjshmërinë dhe korrektësinë e plotë të veprimeve të ndërmarra nga KEK, duke autorizuar vazhdimin e aktivitetit të prokurimit me nr. KEK-25-58-5-1-4. Korporata rithekson angazhimin e saj të palëkundur që i gjithë procesi të zhvillohet me transparencë të plotë, integritet dhe profesionalizëm, në përputhje me standardet më të larta të prokurimit publik dhe me dokumentacionin e përgatitur në bashkëpunim me ekspertët vendorë dhe konsulencën e USAID”, njofton KEK-u.





