Korporata Energjetike e Kosovës po planifikon të investojë mbi 137 milionë euro në bllokun A3 të Termocentralit “Kosova A”, për rehabilitimin dhe modernizimin e tij. Me këtë investim, qëllimi është zgjatja e jetëgjatësisë së kësaj njësie edhe për 20 vjet, marrë parasysh që është lëshuar në funksion që nga viti 1970. Këtë tender, sipas njoftimit që është publikuar sot në faqen zyrtare të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, KEK do ta japë me procedurë konkurruese me negociata, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Blloku “A3” i Termoncetralit “Kosova A” do t’i nënshtrohet rehabilitimit e modernizimit shumë shpejt. Tenderi tashmë është shpallur. Kostoja e parashikuar për këtë projekt është 137 milionë e 340 mijë euro, e punimet parashihet të zgjasin 24 muaj.
Në dosjen e tenderit janë renditur arsyet pse nevojitet rehabilitimi dhe modernizimi i kësaj njësie, teksa theksohet se qëllimi kryesor është zgjatja e jetëgjatësisë së kësaj njësie edhe për 20 vjet, shkruan Reporteri.net.