Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka arritur një tjetër sukses në procesin e modernizimit, duke u certifikuar me standardin ndërkombëtar ISO 9001:2015 për Menaxhimin e Cilësisë.
Sipas KEK-ut, ky certifikim dëshmon përkushtimin për ndërtimin dhe zbatimin e sistemeve të avancuara menaxheriale, në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare. Procesi i certifikimit ka nisur më 1 shtator 2025 dhe është finalizuar me sukses pas auditimit të jashtëm, duke konfirmuar funksionimin e korporatës mbi parime të cilësisë, efikasitetit dhe përmirësimit të vazhdueshëm.
Certifikata e lëshuar, me vlefshmëri deri më 29 prill 2029, përfshin aktivitetet kryesore të korporatës, si menaxhimin, administrimin dhe operimin e termocentraleve dhe minierave të qymyrit. Me këtë arritje, KEK-u synon të rrisë më tej besueshmërinë dhe performancën në sektorin energjetik.
Ky sukses i atribuohet angazhimit të stafit dhe bashkëpunimit ndërmjet njësive organizative, ndërsa nga KEK theksohet se certifikimi përbën një hap të rëndësishëm drejt transformimit në një korporatë moderne, efikase dhe të harmonizuar me standardet evropiane dhe ndërkombëtare.
