Fenomeni i humbjeve të energjisë elektrike, që në praktikë klasifikohen si humbje teknike ose komerciale, është i barabartë me diferencën ndërmjet energjisë së prodhuar-blerë dhe energjisë së shitur-konsumuar.
Humbjet e energjisë elektrike në rrjetin tonë shpërndarës janë minimizuar dukshëm falë planifikimit dhe mbarështimit adekuat të linjave elektrike dhe ndërmarrjes së hapave përkatës për shënjimin e saktë të këtyre humbjeve.
Që kur është privatizuar KEDS-i në vitin 2013, duke parë rrethanat ekzistuese të rrezikut nga humbjet komerciale-keqpërdorimet, Departamenti i Humbjeve i KEDS-it ndërmori vazhdimisht aksione në identifikimin e keqpërdoruesve të energjisë elektrike. Falë përkushtimit të ekipeve të kontrollit të këtij departamenti, vetëm përgjatë periudhës 2019-2021 janë identifikuar mbi 30 mijë konsumatorë që janë kyçur ilegalisht në rrjetin e energjisë elektrike. Ndaj një numri të konsiderueshëm të këtyre konsumatorëve tashmë janë ngritur kallëzime penale.





