LAJME

KEDS për gjobën nga MINTI: Po punojmë për identifikimin e një zgjidhje të pranueshme për gjitha palët

KEDS për gjobën nga MINTI: Po punojmë për identifikimin e një zgjidhje të pranueshme për gjitha palët
TV Prizreni
TV Prizreni
15 Prill 2026, 12:09

Kompania Kosovare për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë– KEDS ka thënë se është duke punuar për gjetjen e një zgjidhje të pranueshme për të gjitha palët, në lidhje me gjobat e shqiptuara nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI).

Në një përgjigje me shkrim për KALLXO.com, zëdhënësja e KEDS-it, Bleona Dallaveraj tha se aktualisht KEDS-i është në komunikim të vazhdueshëm me ZRRE-në, me qëllim, sipas saj, identifikimin e një zgjidhjeje të qëndrueshme dhe të pranueshme.

“Për më tepër, duke qenë se kjo çështje është aktualisht në trajtim nga organet kompetente hetimore, konsiderojmë të nevojshme që në këtë fazë të përmbahemi nga ofrimi i informacioneve shtesë, me qëllim shmangien e çdo mundësie të ndikimit apo pengimit të hetimeve në vijim”– ka thënë Dallaveraj.

“KEDS mbetet i përkushtuar të bashkëpunojë në mënyrë të plotë me institucionet përkatëse dhe të kontribuojë në trajtimin e drejtë dhe transparent të kësaj çështjeje, në përputhje me obligimet ligjore dhe rregullatore”.

Kujtojmë që Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), ka gjobitur kompaninë KEDS, në lidhje me njehsorët matës të energjisë elektrike.

Përmes një komunikate për media me 14.04.2026, MINTI ka thënë se gjatë verifikimeve të realizuara në laboratorin e Agjencisë së Metrologjisë, është konstatuar se nga ana e KEDS-it nuk është respektuar afati i vlefshmëirsë së njehsorëve elektrikë.

“Në bazë të këtyre gjetjeve, Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut, duke u mbështetur në Ligjin për Metrologji, ka shqiptuar gjoba në vlerë prej 1,500 deri në 5,000 euro për secilin njehsor me afat të skaduar të vlefshmërisë”- thuhet në njoftimin e MINTI-t, duke mos bërë të ditur shumën totale të gjobave.

Ministria ka bërë të ditur se me qëllim të lehtësimit të raportimit të parregullsive në teren, ka funksionalizuar sot edhe një numër mobil për pranimin e ankesave, ku qytetarët mund t’i adresojnë ankesat, përfshirë ditët e vikendit, festat, si dhe përmes platformës Viber. Numri për pranimin e ankesave është +38346311000./Kallxo.com

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika