LAJME

KDI: Përpjekja për zgjedhjen e Presidentit pa kuorum cenon rendin kushtetues

KDI: Përpjekja për zgjedhjen e Presidentit pa kuorum cenon rendin kushtetues
TV Prizreni
TV Prizreni
27 Prill 2026, 20:51

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka reaguar ashpër ndaj përpjekjeve për të avancuar procesin e zgjedhjes së Presidentit pa përmbushjen e kuorumit të kërkuar kushtetues, duke vlerësuar se një veprim i tillë cenon drejtpërdrejt themelet e rendit kushtetues dhe funksionimin e demokracisë parlamentare në vend.

Sipas KDI-së, praktika dhe vendimet e Gjykata Kushtetuese e Kosovës kanë përcaktuar qartë standardin që duhet ndjekur në këtë proces. Në këtë drejtim, kërkohet pjesëmarrja e së paku dy të tretave të të gjithë deputetëve në raundin e parë dhe të dytë të votimit, ndërsa vetëm pas përmbushjes së këtij kushti procedura mund të vazhdojë në raundin e tretë.

Ky institut thekson se çdo tentativë për të anashkaluar këtë rend kushtetues dhe për të zgjedhur Presidentin me një numër të kufizuar deputetësh në sallë përbën shkelje të hapur të Kushtetutës dhe deformim të qëllimshëm të parimeve kushtetuese. Sipas tyre, nuk ekziston asnjë bazë juridike që lejon uljen e kuorumit për shkak të mungesës së deputetëve.

KDI paralajmëron se një qasje e tillë krijon precedent të rrezikshëm dhe hap rrugë për interpretime të njëanshme të rregullave kushtetuese. Në fund, ky institut u bën thirrje deputetëve që të respektojnë standardet kushtetuese dhe të shmangin veprime që mund të thellojnë krizën institucionale, duke kërkuar rikthim në respektimin e plotë të procedurave kushtetuese.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika