Instituti Demokratik i Kosovës vlerëson se mbledhja e së martës e Komisionit parlamentar për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim, ku ishte duke raportuar ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, është zhvilluar në frymë të acaruar, mes deputetëve të opozitës gjegjësisht deputetes Ganimete Musliu nga PDK dhe ministrit Faton Peci.
Në reagimin e KDI-së thuhet se mbledhja është përcjellë me akuza të ndërsjella, me ç’rast deputetja Musliu ka përdorur gjuhë fyese dhe ka hedhur ujë në drejtim të ministrit.
“Pas këtij veprimi, kryetarja e Komisionit ka ndërprerë për pak minuta takimin që ishte duke u zhvilluar. Kjo përplasje ishte vazhdimësi e një debati të ashpër të zhvilluar mes deputetes dhe ministrit në fjalë në seancën e fundit plenare në kohën e pyetjeve parlamentare për çështjen e dhënies së disa granteve bujqësore nga Ministria”, thuhet në reagim.





