Viteve të fundit, organizatat që punojnë në promovimin dhe ruajtjen e vlerave demokratike po ndjekin nga afër zhvillimet në shoqëritë demokratike dhe ndryshimet që po sjellin ato.
“Njëri nga shqetësimet kryesore në raportet e tyre është edhe ai për rënien e interesimit të qytetarëve për përfshirje në procese politike si dhe zbehjen e besimit të qytetarëve në institucione. Shkaktar i një gjendje të tillë po konsiderohet edhe rritja e ndikimit të grupeve të interesit mbi institucionet “tradicionale” shtetërore (parlamentin, qeverinë dhe institucionet lokale).
Sipas Këshillit të Evropës, vetëm në Bruksel sot veprojnë mbi 15,000 grupe të interesit, prej të cilave 2,600 grupe i kanë hapur edhe zyrat e përhershme në kryeqytetin evropian me qëllimit të lobimit gjatë vendimmarrjes në institucionet e Bashkimit Evropian”, thuhet në njoftimin e KDI-së.
Sipas Arben Kelmendi, menaxheri i programit në KDI, edhe në Kosovë, studimet flasin për ndikimin që grupet e ndryshme të interesit po e ushtrojnë në vendimmarrjen brenda institucioneve shtetërore.
Në studimin e KDI-së janë analizuar disa raste të dyshimta të përpilimit të ligjeve dhe legjislacionit sekondar për interesa të individëve apo grupeve të caktuara e jo të interesit publik. Rasti i Udhëzimit Administrativ për homologimin e automjeteve konsiderohet rast eklatant i “legalizimit” të monopolit për një kompani që ofron këtë shërbim. Ligji i ri për Noterinë është një tjetër shembull i fenomenit të legjislacionit të porositur në Kosovën e pasluftës. Ushtrimi i ndikimit të aktorëve jashtë institucionalë po vërehet si në legjislativ ashtu edhe në ekzekutiv dhe në të dy nivelet e pushtetit, atë qendror dhe lokal.
“Përpjekjet e këtyre aktorëve “jashtë-institucionalë” për të ushtruar ndikim në vendimmarrjen politike nuk duhet të nënvlerësohen. Shkalla e përhapjes dhe vizibiliteti i tyre është rritur ndjeshëm viteve të fundit, sidomos me përhapjen e teknologjisë së informacionit dhe formave të reja të komunikimit. Me qëllim të forcimit të besimit të publikut te institucionet qeverisëse, Instituti Demokrati i Kosovës thërret institucionet vendore për ngritje të trasnparencës së vendimmarrjes në të gjitha fazat e saj, duke përfshirë edhe fazën e konsultimeve publike. Qytetarët kanë të drejtë të informohen rreth aktorëve që kanë qasje apo ushtrojnë ndikim mbi vendimmarrjen qeveritare. Përndryshe, nëse format e ushtrimit të ndikimit kryhen në mungesë të transparencës dhe llogaridhënies së plotë, ato nxisin dyshime te publiku dhe dëmtojnë demokracinë”, thuhet më tej në njoftim.
Kelmendi tutje vazhdoi se qëllimi kryesor i këtij punimi ishte të iniciojë debatin në shoqërinë kosovare rreth rolit të aktorëve të ndryshëm jashtë-institucionalë në vendimmarrje dhe të bëj një vlerësim preliminar të nevojës për rregullim ligjor të tij. Cilido qoftë modaliteti i zgjedhur, një ligj për lobim do të duhej të definojë qartë lobimin, llojet e aktiviteteve lobiste, qëllimet e pranueshme të një aktiviteti lobues si dhe individët apo grupet që mund të kualifikohen si lobues.
Tutje, ligji duhet të parasheh krijimin e një Regjistri për Lobues, në të cilin lobistët individualë dhe organizatat lobuese obligohen të regjistrohen në mënyrë që të fitojnë të drejtën për të zhvilluar aktivitete lobiste. Lobistët e regjistruar duhet të raportojnë për aktivitetet e tyre në baza periodike rreth identitetit të lobuesit, çështjes për të cilën zhvillohen aktivitetet e lobimit, përfituesin e fundit të aktiviteteve të lobimit, institucionin dhe zyrtarin publik të synuar, llojin dhe numrin e aktiviteteve të lobimit, shpenzimet e lobimit, burimet financiare etj.
Ligji gjithashtu duhet të parandalojë futjen e menjëhershme të ish-zyrtarëve publikë në sektorin privat si lobistë me të përfunduar postin publik. Kjo arrihet përmes caktimit të periudhës së ftohjes (nga anglishtja cooling period) me qëllim të parandalimit të fenomenit të “dyerve rrotullues” (nga anglishtja revolving door). Periudha e ftohjes në vende të ndryshme ndryshon nga dy deri në pesë vjet.
Instituti Demokratik i Kosovës do të vazhdojë të punojë në konsolidimin e shoqërisë demokratike në Kosovë me qytetari aktive, vendimmarje transparente dhe llogaridhënëse si dhe sundim të ligjit./Telegrafi/