Këshilli i Bashkësisë Islame në Prizren ka njoftuar qytetarët se, për shkak të kundërmimit, është ndaluar deponimi i lëkurave të kurbaneve pranë xhamive gjatë festës së Kurban Bajramit.
Sipas njoftimit, grumbullimi i lëkurave do të bëhet në kontejnerë të vendosur në disa pika të qytetit, në bashkëpunim me Komunën e Prizrenit. Qytetarët janë udhëzuar që lëkurat e kurbaneve t’i dërgojnë në njërën nga këto lokacione:
• në lagjen Bazhdërhane, te hapësira e pazarit përballë Qendrës Sportive;
• në lagjen Barut’hane, te Tranziti i Ri afër T&A;
• në lagjen Arbana, afër Spahija Petrol;
• në lagjen Tusuz, afër hyrjes kryesore të varrezave të Prizrenit.






