Një incident i rëndë ka ndodhur në fund të ndeshjes së Superligës së Kosovës në basketboll mes Trepçës dhe skuadrës Prizreni-16. Ndeshja u luajt të dielën mbrëma në palestrën “Minatori” në Mitrovicë.
“Xehetarët” fituan ndeshjen dramatike me rezultatin 97:90, falë finishit më të suksesshëm. Por, ngjarjet vazhduan edhe pas fundit të takimit. Në parket, afër hyrjes për në zhveshtore, u krijua një tollovi ku u përfshinë lojtarë të dy skuadrave, por edhe zyrtarë klubesh dhe tifozë. Tollovia ka zgjatur për disa çaste, ndërsa klubi prizrenas ka njoftuar se është sulmuar basketbollisti i kësaj skuadre, malazezi Ivan Koleviq.
Koleviq edicionin e kaluar luajti për Trepçën, ndërsa nuk ishte ndarë me mitrovicasit në mënyrën më të mirë.
“Pas përfundimit të ndeshjes, disa shikues sulmuan lojtarin Ivan Koleviq, i cili tani gjendet në emergjencë. Veprime të paduhura që zbehin imazhin e basketbollit, e aq më shumë një trileri basketbollistik i cili u zhvillua me lojë burrërore. Tani mbetet në dorë të FBK-së për vendim korrekt ngase propozicionet e garave e thonë qartë se ekipi nikoqir është përgjegjës për sigurimin e mysafirëve para, gjatë dhe pas ndeshjes. Kjo ka ndodhur në intervalin e lojës. Tani organet kompetente le të vendosin”, thuhet në reagimin e parë të Prizrenit, që javë më parë fitoi Superkupën e Kosovës duke mposhtur në finale pikërisht Trepçën.
Fundori Koleviq të dielën ishte prej më të mirëve, njëjtë si në ndeshjet e kaluara të Prizrenit. Klubi prizrenas ka publikuar edhe fotografi të fytyrës së Koleviqit, që sipas postimit kanë shenja të dhunës së ushtruar ndaj tij.
“Kjo fotografi është ajo që më së paku i nevojitet sportit në tërësi. Kërkojmë nga Policia e Kosovës që të arrestuarit të dënohen me dënim meritor dhe skenat e tilla të mos përsëriten më. Për çdo kritikë puna e delegatit i cili lejoi më shumë shikues të jenë të pranishëm, të cilët edhe shkaktuan dhunën. Federata ka prova të mjaftueshme për këtë ngjarje, policia ka raportin si dhe kemi raportin e emergjencës që lojtari u dërgua në spital pas ndeshjes. Turp!”, shkruan në njoftimin tjetër të klubit prizrenas.
Ndërkohë Trepça nuk ka lëshuar ndonjë njoftim për incidentin, ndërsa FBK-ja nuk e ka përmendur në raportin e ndeshjes. KOHA ka kontaktuar policinë e regjionit të Mitrovicës, që ka thënë në mbrëmje se nuk ka informata për incidentin.
Drilon Hajrizi udhëhoqi Trepçën drejt fitores duke i realizuar 22 pikë, nëntë kërcime e gjashtë asistime. Gerald Blackshear ndeshjen e mbylli me 15 pikë e dhjetë kërcime, ndërsa Ramon Cockfield kishte 17 pikë, tetë asistime e gjashtë kërcime. Samir Zekiqi shtoi 20 pikë për mitrovicasit, që tashmë kanë dy fitore.
Koleviq kishte statistikat më të mira në ndeshje. Ai realizoi 25 pikë, tetë kërcime e nëntë asistime.
Courtney Fells i Prizrenit ndeshjen e mbylli me 29 pikë e shtatë kërcime.
Të dielën u luajt edhe takimi Golden Eagle Ylli – Bashkimi. Skuadra prizrenase, Bashkimi, fitoi me rezultat 60:55.
Immanuel King udhëhoqi Bashkimin me 16 pikë e tetë kërcime. Anton Kazarnovski i kishte 12 pikë e dhjetë kërcime.
Gëzim Morina u dallua tek Ylli me pesë pikë e 13 kërcime. Më efikasët ishin Erjon Kastrati e Brandon Randolph me nga vetëm nëntë pikë. Ylli pësoi humbjen e dytë, ndërsa Bashkimi shënoi fitoren e parë./koha.net/