Pas përfundimit të fazës së deklaratave përfundimtare të mbrojtjes, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi do të japin fjalët e tyre përfundimtare në Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Ekipet mbrojtëse kanë theksuar sipas tyre mungesën e provave të mjaftueshme, ndërsa Zyra e Prokurorit të Specializuar ka shtruar pyetjet dhe ka paraqitur pretendimet përfundimtare.
Pas kësaj faze, çështja do t’i kalojë trupit gjykues, i cili ka afat ligjor deri në tre muaj për të shpallur vendimin. Gjykimi vazhdon sot, me fillim nga ora 09:00, ku do të dëgjohen edhe përfaqësuesit e viktimave, siç ka bërë të ditur trupi gjykues në seancën paraprake.
Seanca e sotme në Hagë ka nisur me deklaratën e mbrojtësit të viktimave, Simon Laws, i cili ka nisur komentimin e pretendimeve të ngritura nga mbrojtja e të akuzuarve. Ai u përqendrua fillimisht te argumenti i Rexhep Selimit, sipas të cilit mbrojtësi i viktimave nuk ka demonstruar një lidhje të drejtpërdrejtë mes krimeve të pretenduara dhe të akuzuarit.
“Nuk ka kusht ligjor që ne të vërtetojmë lidhjen mes Selimit dhe krimeve. Në asnjë fazë të procesit nuk është kërkuar kjo nga ne. Detyra jonë është të paraqesim informacionet dhe provat që lidhen me pasojat për viktimat. Të vërtetosh akuzat ndaj Selimit është përgjegjësi e Prokurorisë”- tha Laws.
Ai shtoi se mungesa e ekzaminimeve individuale të viktimave nuk e dobëson rëndësinë e dëshmive të tyre.
Mbrojtësi i viktimave theksoi gjithashtu se qëllimi i tij është të evidentojë pasojat për viktimat, përfshirë stresin post-traumatik dhe rrëfimet personale, duke ndihmuar trupin gjykues të kuptojë lidhjen mes krimeve dhe të akuzuarve.
Ndërkohë, dje (17.02.2026) në Kosovë, në përvjetorin e 18-të të Pavarësisë, u mbajt një marsh gjithëpopullor në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po gjykohen në Hagë për krime lufte./Kallxo.com