Abuzimi me substanca narkotike nga të rinjtë mbetet një shqetësim i madh në shoqërinë kosovare. Varësia nga droga sa vjen e shtohet dhe kjo dëshmohet çdo ditë me kapjen dhe arrestimin e dhjetëra personave konsumues e shpërndarës të substancave narkotike.
Një rast i tillë është zbuluar të martën nga Policia në pikën kufitare në Vërmicë, raporton Gazeta Sinjali.
Zyrtarët policorë kufitarë kanë ndaluar një veturë, nën dyshimet për gjësende të kundërligjshme, ku pas kontrollit gjetën drogë.
Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se dy të rinj, njëri shofer e tjetri pasagjer u kapën me një sasi të substancës narkotike, të llojit kokainë.
Dy të dyshuarit nga Mitrovica u arrestuan dhe u shoqëruan në stacionin policor në Prizren, ndërsa droga dhe vetura e tyre u sekuestruan.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe inicimin e rastit ndaj të dyshuarit për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.