LAJME

Kapen 200 kilogramë mish doneri që transportohej pa kushte higjienike

Kapen 200 kilogramë mish doneri që transportohej pa kushte higjienike
TV Prizreni
TV Prizreni
16 Maj 2026, 10:59

Dogana e Kosovës ka parandaluar një rast të kontrabandimit të mishit në Pikëkalimin Kufitar Glloboçicë, duke sekuestruar rreth 200 kilogramë mish të llojit dyner, që po transportohej në kushte të papërshtatshme higjienike.

Sipas njoftimit zyrtar, rasti ka ndodhur mbrëmjen e së enjtes rreth orës 18:20, në hyrje të vendit, kur zyrtarët doganorë ndaluan për kontroll një automjet udhëtarësh. Drejtuesi i automjetit kishte deklaruar se nuk posedonte asgjë për të paraqitur, por gjatë kontrollit të detajuar u zbuluan 10 rollne dyneri me peshë nga 20 kilogramë secila, me një sasi totale prej rreth 200 kilogramësh dhe vlerë të përafërt prej 800 eurosh.

Autoritetet theksuan se përveç tentativës për shmangie të detyrimeve doganore, rasti paraqiste edhe rrezik serioz për sigurinë ushqimore, pasi mishi po transportohej pa frigorifer dhe jashtë çdo standardi higjienik e sanitar.

Sipas Doganës, shmangia e kontrollit sanitar nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë mund të kishte pasoja të mëdha për shëndetin publik, duke rrezikuar potencialisht mijëra qytetarë.

Malli është sekuestruar dhe ndaj personit përgjegjës është iniciuar procedurë kundërvajtëse, ndërsa produktet do t’i nënshtrohen trajtimit të mëtejshëm ligjor.

Dogana e Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve dhe bizneseve që të shmangin aktivitetet joformale dhe kontrabandën, duke theksuar se mosrespektimi i kontrolleve të sigurisë paraqet rrezik serioz për shëndetin publik dhe ekonominë e vendit.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika