Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Përgjithshëm, gjyqtari i procedurës – Refki Piraj , ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Prizrenit, për caktimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje tridhjetë (30) ditë ndaj të pandehurit A.P., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale: kanosje.
Gjykata me rastin e caktimit të paraburgimit ndaj të pandehurit A.P., ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit, dhe nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar se:
Me datë 17 mars, në shtëpinë e përbashkët familjare, i ka kanosur të dëmtuar – prindërit e tij, me vepra apo gjeste se do t’i privoj nga jeta ose do t’i shkaktoj lëndim të rëndë trupor, në atë mënyrë që ditën kritike i pandehuri fillimisht fjaloset me të dëmtuarit – prindërit e tij, duke i ‘u kërkuar të holla, i ‘u bënë presion në vazhdimësi, dhe më pas i kanos me fjalët “Unë po dal në qytet, kur të kthehem nëse iu gjejë në banesë do t’iu vras”, dhe në vazhdimësi i njëjti shkakton ankth, frikë dhe pa siguri tek të dëmtuarit.





