Drejtoresha e Fondit për të Drejtën Humanitare në Serbi, Natasha Kandiq, ka dalë me një porosi për presidentin serb Aleksandar Vuçiq, para takimit të këtij të fundit në Bruksel me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti.
Në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, më 27 shkurt në Bruksel do të takohen kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq.
Në vigjilje të këtij takimi ka reaguar humanistja Natasha Kandiq, e cila i ka propozuar presidentit serb, që takimin ta nis me një deklaratë, që ka të bëjë me ndërtimin e një memoriali në Batajnicë, ku u groposën dhe dogjën kufomat e viktimave civile shqiptare të vrarë gjatë luftës në Kosovë.
“Nëse takimi në Bruksel nis me deklaratën e Vuçiqit se Serbia do të ndërtojë një memorial në territorin e kampit të Njësisë Antiterroriste Serbe në Batajnicë në kujtim të 800 personave, të vrarë në Kosovë, të transferuar në kampin e policisë, ku përmes makinerisë dhe zjarrit u rrafshuan me tokë, do të fillonte ‘normalizimi’ i raporteve”, tha Kandiq, përmes një postimi në Twitter, transmeton Telegrafi.
Në fillim të vitit 2000, në Batajnicë, në poligonin e Njësisë Speciale Antiterroriste të Policisë serbe, u zbulua varreza masive me trupat e qindra shqiptarëve të Kosovës që ishin vrarë në vendin e tyre nga forcat serbe, dhe më pas ishin bartur në atë hapësirë, në një tentim të strukturave shtetërore të Serbisë, të asaj kohe, për t’i fshehur gjurmët e krimeve të kryera.
Kada bi sastanak u Briselu počeo izjavom @avucic da će Srbija na prostoru kampa SAJ-a u Batajnici izgraditi spomen obeležje u znak sećanja na 800 ljudi, ubijenih na Kosovu, prebačeni u policijski kamp, gde su mašinama i vatrom sabijani u zemlju, počelo bi “normalizacija”.
Përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, ka thirrur për 27 shkurt takimin në nivel të lartë mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
BE-ja tha se në këtë takim, temë e diskutimit do të jetë propozimi evropian për normalizimin e plotë të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.