Kandidati për kryetar të komunës së Dragashit nga radhët e PDK-së, Shaban Shabani, ka falënderuar qytetarët e kësaj komune për pjesëmarrjen në zgjedhjet lokale dhe kandidatët e simpatizantët e PDK-së për kontributin e tyre.
“Të nderuar qytetarë të komunës së Dragashit, në emrin tim personal dhe të gjithë ekipit të Partisë Demokratike të Kosovës – dega në Dragash, ju shpreh falënderimin më të sinqertë për pjesëmarrjen tuaj në zgjedhjet e 12 tetorit dhe për kulturën e lartë demokratike që treguat gjatë gjithë ditës së votimit. Dragashi dëshmoi edhe një herë se është shembull i qytetarisë, i respektit dhe i përgjegjësisë demokratike. Një falënderim i veçantë shkon për të gjithë votuesit e Partisë Demokratike të Kosovës – ju që na keni dhënë besimin tuaj, që keni qëndruar me përkushtim dhe keni besuar në vizionin tonë. Faleminderit strukturës sonë të degës, nëndegëve, aktivistëve të palodhshëm, anëtarëve, simpatizantëve, si dhe kandidatëve tanë të listës për asamblenë komunale, të cilët dhanë kontribut të jashtëzakonshëm me ndershmëri dhe përkushtim gjatë gjithë fushatës”, shkruan Shabani.





