Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, ka zhvilluar një takim virtual me Kancelarin Federal të Austrisë, z. Sebastian Kurz, me të cilin ka biseduar për zhvillimet aktuale politike, menaxhimin e pandemisë Covid-19, distribuimin e vaksinave, procesin e liberalizimit të vizave, si dhe për bashkëpunimin bilateral.
Kryeministri Hoti e njoftoi Kancelarin Kurz me zhvillimet aktuale dhe punën e Qeverisë në detyrë, e cila po i kryen të gjitha obligimet në përputhje me ligjet në fuqi dhe me Kushtetutën e vendit.
Kryeministri Hoti me Kancelarin Kurz, bisedoi edhe për përgatitjet për zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
Kryeministri Hoti e njoftoi Kancelarin Kurz, me masat që ka ndërmarrë Qeveria për minimizimin e pasojave që ka shkaktuar pandemia si në aspektin shëndetësor ashtu edhe në atë ekonomik e social. Derisa po bisedonin për procesin e imunizimit dhe të vaksinimit kundër Covid-19, Kryeministri Hoti nga Kancelari Kurz mori konfirmimin se distribuimi i vaksinave për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, do të bëhet në të njëjtën kohë.
Kryeministri Hoti me Kancelarin Kurz bisedoi edhe për procesin e liberalizimit të vizave, ku mori mbështetjen e tij për vazhdimin e punës së mirë të Qeverisë, në mirëmbajtjen e kritereve të plotësuara për liberalizim në mënyrë që edhe qytetarët e Kosovës sa më parë të mund të lëvizin lirshëm në zonën Schengen.
Me kërkesë të Kryeministrit Hoti, Kancelari Kurz konfirmoi se Austria do të konsiderojë vazhdimin e marrëveshjes për kredi të butë me Kosovën, kryesisht për projekte për furnizim me ujë dhe trajtim të ujërave të zeza.
Kryeministri Hoti dhe Kancelari Kurz, vlerësuan lart marrëdhëniet midis dy vendeve duke shprehur gatishmëri për thellimin e bashkëpunimit në çdo fushë me interes bilateral.