Kosova për herë të parë është bërë organizatore e një kampionati të lojërave elektronike, falë sukseseve që lojtarët kosovarë kanë pasur gjatë viteve të fundit në Esports – shkurtesë kjo për lojërat elektronike.
Në sallën “1 Tetori” në Prishtinë janë mbledhur 36 ekipe nga shtetet: Bjellorusia, Bullgaria, Kroacia, Republika Çeke, Danimarka, Franca, Gjeorgjia, Gjermania, Hungaria, Irlanda, Kosova, Latvia, Lituania, Moldavia, Holanda, Maqedonia e Veriut, Polonia, Portugalia, Romania, Sllovakia, Spanja, Suedia, Turqia dhe Ukraina.
Në këtë kampionat që do të zgjas nga 9 deri më 13 korrik, u pa një interesim i madh i të rinjëve për të shikuar për së afërmi garën që zhvillohet brenda kompjuterëve të vendosur në qendër të sallës.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se salla “1 Tetori” për herë të parë ka mbledhur lojtarë të nivelit botëror, mysafirë ndërkombëtarë dhe vendorë, muzikantë dhe maestro, tifozë dhe të rinj për të festuar shpirtin e lojërave.
“Të gjithë këtu e kanë përqafuar përsosmërinë me pasion dhe përkushtim. Por, fuqia e vërtetë e këtij Kampionati jeton përtej tabelës së rezultateve, në momentet që ndërtojmë, në tregimet që ndajmë dhe në komunitetin që krijojmë së bashku. Kjo ka qenë gjithmonë hapësira ku talenti rritet shpejt dhe ambicia duket se nuk shuhet kurrë”- tha Kurti në fjalën e tij gjatë ceremonisë hapëse më 09.07.2025.
Kurti kujtoi kohërat e mëpërshme kur lojërat elektronike ishin përtej argëtimit, e që sipas fjalëve të tij, ato lojëra fshehnin njëfarë shpëtimi dhe sfidë të vetëvetes.
“Shumë kohë përpara se Esports të kishte një emër, nga versionet 1.3, 1.5 e 1.6, kishte më shumë sesa thjesht një emër. Ishin mënyra për t’u lidhur, për ta sfiduar veten, për të kapërcyer kufijtë dhe për të ëndërruar më shumë. Sot është koha kur e njohim fuqinë dhe potencialin e industrisë së Esports si forcë shtytëse të teknologjisë, inovacionit dhe të ardhmes së kulturës digjitale”- tha ai.
Në fjalën hyrëse kryetari i Federatës së Esports, Altin Preniqi, tha se në këtë Kampionat ka “përfaqësues nga vende të ndryshme, për një ide të përbashkët: pasionin për e-sports”.
Ai tha se ndryshe nga fusha e gjelbër që shumëkush e lidh me sportin tradicional, fusha e Esports është me energji të re- atë virtualen.
“Kur përmendim Kampionatin shumica e njerëzve mendojnë për fushën e gjelbër, por sot jemi për diçka ndryshe, për një fushë që ka energji në fushën online”- tha Preniqi.
Karol Cagan, drejtor i Federatës Europiane të Esports, u ndje i lumtur që një vend i vogël si Kosova ka arritur të organizojë Kampionat të tillë.
“Është mirë të shohësh se si një shtet aq i vogël mund të organizojë një Kampionat të tillë”- tha Cagan, i cili vjen nga një shtet jonjohës i Pavarësisë së Kosovës, nga Sllovakia.
Kurse, presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, tha se ky kampionat është dëshmi se Kosova është gati për organizime të mëdha.
“Ky kampionat përfaqëson shpirtin e brezave të rinj. Fakti që ky kampionat zhvillohet në Prishtinë është dëshmi që Kosova po krijon hapësirë të zhvillohet sporti dhe për të treguar që jemi gati të organizojmë”- shtoi Krasniqi.
Bad News Eagles është një nga profesionale Kosovar në Counter‑Strike aktiv qysh në fillim të 2022 deri në verën e vitit 2025. Ky është ekipi i parë që arriti në Legends Stage pa asnjë mbështetje organizative dhe më pas si pjesë e Guild./Kallxo.com/